Strategjia për kulturë që mungon tash gati 20 vjet sërish në agjendë

Postuar: 11:22 / 19.10.2018

Ministria e Kulturës i është rikthyer nismës për hartimin e strategjisë për kulturë. Për këtë dokument flitet tash e 18 vjet, por asnjëherë nuk është finalizuar. Janë krijuar disa grupe punuese të cilat kanë zhvilluar disa takime, por me kaq ka përfunduar kjo nismë.

Të enjten ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka takuar anëtarët e grupit punues për Strategjinë. Tash MKRS-ja ia ka vënë qëllim vetes që vitin e ardhshëm ta ketë atë gati. Skena e pavarur kulturore dhe Ministria e Kulturës vazhdimisht janë konfrontuar për mungesën e këtij dokumenti.

Sipas komunikatës për media, ministri Gashi ka thënë se Strategjia do të jetë dokument që orienton për vlera të mirëfillta krijuese e kulturore, me objektiva të arritshme dhe të qarta, shkruan Koha Ditore.

Kryesuesi i grupit punues, Feim Hoxha, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit të Kulturës dhe drejtor i Zyrës ligjore në MKRS, ka thënë se takimet e anëtarëve do të fillojnë së shpejti. Sipas tij, strategjia do të jetë gati për t’u miratuar në Qeveri vitin e ardhshëm.

Valon Kashtanjeva, Brikena Mulliqi-Gashi, Kamuran Goranci, Florent Mehmeti, Shkurte Kadriu, Liri Cami, përfaqësues të Zyrës ligjore të kryeministrit, të Ministrisë së Pushtetit lokal, të Asociacionit të Komunave dhe drejtorët e të gjitha institucioneve qendrore të kulturës do të jenë pjesë e grupit punues.