“Ta ruajmë’’ shqipen nga vetë shqiptarët!

Postuar: 10:30 / 08.05.2018

“Lutja e shkrimtarit” një testament i gazetës “Albania’’, ku më qartë se gjithkund dhe se gjithëherët, zbulohet fuqia, shpirti, fryma e Konicës, teksa shprehet: “Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembimet e gjuhës dhe lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!”.

Më erdhi në mend, ashtu si në jo pak herë këtyre moteve, shkruan studiuesi Behar Gjoka, teksa një grup pedagogësh, studiuesish të gjuhës dhe historisë, si dhe të disa shkrimtarëve, që i janë drejtuar me një letër të hapur vetë kryeministrit, zotit Rama, kundër akademikëve, të fushës së gjuhës, të cilët prej kohësh po prishkërkanë gjuhën.
Pra, akademikët e gjuhës, bëjnë të kundërtën e misionit të tyre, duke shkatërruar paratë e taksapaguesve. Shqetësimi i gjuhëtarëve, që nuk janë akademikë, dhe i të tjerëve, duket se vjen në publik, për të disatën herë, sepse kanë qenë të pranishëm në median vizive dhe të shkruar. Pa më të voglin dyshim, mendimi i tyre, por edhe i të tjerëve, të cilët mendojnë ndryshe nga dy palët e sipërpërmendura, duhet marrë në konsideratë, në tryezat shkencore, në konferenca të ndryshme, që do të zhvillohen në gjithë hapësirat shqiptare. E reja, që përçon letra, lidhet me faktin se kërkon ndërhyrjen e kryeministrit, pra të politikës.

Shpesh herë, këshilli akademik, i krijuar në një kohë tjetër, kur në pushtet ishin të djathtët, në mënyrë absurde, kanë zhvilluar takime dhe mbledhje nën trysni dhe gati në ilegalitet. Pra, nuk ma do mendja se njëra palë e gjuhëtarëve, janë kombëtar, e tjetra antikombëtar, por janë ekspertë, që kanë humbur komunikimin dhe nga skaljone të ndryshme, lëshohen me akuza dhe kundërakuza. Gjuha shqipe, sistemi tërësor, ku pëfshihet gjuha e njësuar, variantet e shkruara, si dhe të folmet e larmishme, është e vetmja gjuhë e rajonit, që ka në themel martirët e fjalës, mendjet e ndritura të genit shqiptar, të cilët dhanë jetën, që të mos shuhet ama e shqipes. Pjetër Budi, njëri ndër ta, poeti i parë i letrave shqipe, është pa varr, sepse e mbytën në lumin Drin, sidomos për shkak të librave të shkruara në gjuhën shqipe. Për fjalën shqipe, për mallin dhe prushin e saj, që e ndizte shpirtin e shqiptarëve, derdhën gjakun e tyre, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi etj.

Fjala shqipe, parëlindur me Mesharin e Buzukut, ngjizur në poemat e De Radës, shqiptuar me rrezëllima në penën e Naim Frashërit, thadruar në vrundujtë zhurmues të Fishtës, ngjyer në sharmin modern të Migjenit, Kutelit, Poradecit, Koliqit, Kadaresë, Pashkut, Trebeshinës, Camajt, Podrimes, Agollit, Arapit etj. , gjellin e përbashkët, si njësi unike. Ky visar, letrar dhe gjuhësor, që tejkalon kohën dhe hapësirën, nuk ka shumë gjasa, që të jetë pronë dhe hipotekë, vetëmse zyrtare. Gjuha e letërsisë dhe gjuha e njësuar nuk ka gjasa që të përputhen, sepse letërsinë nuk e përlind gjuha e njësuar, por gjuha e autorit.

Gjuha shqipe, institucioni i vetëdijes së qenies, nuk i përket vetëm kësaj kohe, por ngërthen të kaluarën dhe ardhmërinë e shqiptarëve. Shqipja, pasuria më e vyer e trashëgimisë tonë, limfa frymëdhënëse e idealit të kombit, nuk i përket dhe nuk mundet që të trajtohet si fragment i politikës shtetërore, sepse trojet ku flitet dhe shkruhet gjuha shqipe, janë më të gjera. Gjuha, pamëdyshje me të gjitha asetet e saj, ndërkaq nuk ka shans që t’u përkas vetëm gjuhëtarëve, ndonëse janë rojtarët vijëruajtës, siç ka përcaktuar më herët F. De Sosyr, janë pjesa më e rëndësishme e studimit, analizës së prirjeve të gjuhës /Shekulli/.