Teatri i ri i Tiranës, një hapësirë evropiane më shumë

Postuar: 12:06 / 07.02.2018

Një hapësirë e re ultramoderne për artin e kulturën skenike do të jetë së shpejti në dispozicion të artistëve dhe artdashësve kryeqytetas.

Teatri i ri i Tiranës, i quajtur “Turbina”, do të mbushë më tej boshllëkun e tmerrshëm që krijuan vitet e gjata të rrënimit të vazhdueshëm të infrastrukturës kulturore e të jetës artistike.

I vendosur në mjedisin e rrënuar të ish-Laboratorit të Hidrologjisë, në këtë godinë po vazhdojnë me intensitet punimet për ndërtimin e këtij teatri.

Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjes ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook, me pamje nga progresi i këtyre punimeve.

“Mirëmëngjesi dhe me këto pamje nga progresi i punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri të Tiranës, ku rrënojat e një ndërtese të harruar për dekada të tëra po transformohen çdo ditë në një hapësirë evropiane më shumë, të munguar për dekada për artin dhe kulturën, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, transmeton ATSH.

Punimet për ndërtimin e Teatrit të ri të Tiranës kanë nisur në vitin 2016 në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane.