Sot nis manifestimi "Takimet e Dom Mikelit 2016"

VitiPostuar: 11:11 / 24.09.2016

Sot do të nisë manifestimi tradicional kulturor dhe shkencor "Takimet e Dom Mikelit 2016" në Stubëll të Vitisë.

Aktiviteti i cili është i 27-ti me radhë, do të fillojë në orën 09:30 me Meshën e Shenjtë të drejtuar nga Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ndërsa nga një fjalë rasti do të mbajnë kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala.

Sipas njoftimit për media, pika qendrore e manifestimit do të jetë Tribuna shkencore me titull “Nënë Tereza dhe Shqiptarët” ku do të flasin Dom Lush Gjergji, At Sebastian Vazhakala, që zhvillon veprimtarinë e tij mes Kalkutës dhe Romës, Visar Zhiti, Anton Nikë Berisha dhe Valentino Salvoldi nga Bergamo i Italisë.

Manifestimi Letrar, Kulturor e Shkencor "Takimet e Dom Mikelit 2016" do të vazhdojë me orën e madhe letrare, si dhe me ndarjen e çmimeve, “Agim Ramadani” dhe “Qeshk Ukaj”-veteran i arsimit.

Këshilli Organizativ ka rezervuar edhe një program kulturo- argëtues nën shoqërimin e këngëtarit Nikollë Nikprelaj i cili do të këndojë këngë për Nënë Terezën, kurse, Çun Lajçi do të recitojë vargje mbi humanisten shqiptare, për t’i lënë hapësirë ansamblit nga Vitia “Kemajl Azizi” dhe vëllezërve Duhanaj të cilët do ta përkujtojnë Gonxhe Bojaxhiun përmes tingujve të çiftelisë.

Takimet e Dom Mikelit do të përmbyllen pas mesditës me ekspozitën mbarëkombëtare të pikturës “Nëna e Dashurisë”ku do të prezantohen punime të ndryshme origjinale në teknikë të lirë. Kjo ekspozitë organizohet nga OJQ "Exarte" dhe Departamentii Kulturës në Viti me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Ekspozita do të hapet në ambientet e shkollës së parë shqipe në Stubëll të Vitisë për të vazhduar pastaj në Galerinë e Arteve në Viti më 24 tetor, si dhe më 10 dhjetor në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.

Ky manifestim është një rast i mirë për të kujtuar mësuesin e parë të shkollës së parë legale në Kosovë, dhe priftit të kishës së këtij fshati, Dom Mikel Tarabulluz.