Edhe një edicion i suksesshëm i Panairit të Shkencës dhe Kulturës

VushtrriPostuar: 16:38 / 07.06.2016

Panairi i Shkencës dhe Kulturës, i cili organizohet nga lëvizja “Koha” në Vushtrri, sivjet ka shënuar një jubile të vogël, 5-vjetorin e fillimit dhe nga organizatorët, por edhe nga pjesëmarrësit vlerësohet si një edicion tejet i suksesshëm.

Panairi i sivjetshëm me moton “Mësohu si t’i besh gjërat, jo si t’i thuash” tuboi dhjetëra nxënës të shkollave të mesme të larta nga komuna të ndryshme të Kosovës, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Ky panair kombëtar nga organizatori shihet si mundësi e artë që nxënësit ta shfaqin talentin e tyre në fusha të ndryshme shkencore dhe kulturore.

Në panair u bë prezantimi praktik i eksperimenteve të ndryshme shkencore dhe atyre kulturore, ndërsa dominuar eksperimentet të ndryshme me energji elektrike, me ushqim, shfaqje të aftësive teknologjike, të gatimit, të artit, etj.

Lëvizja “Koha”, si organizuese e panairit, sivjet kishte përkrahjen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga Departamenti i Rinisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe nga Komuna e Vushtrrisë.

Qendrim Uka, në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se ndihet krenar që për pesë vite me radhë udhëhoqi një prej projekteve arsimore më të mëdha në vendin tonë, “Panairi i Shkencës dhe Kulturës”.

“Sapo përfundoi edicioni i pestë në të cilën pjesëmarrja e madhe e shkollave nga të gjitha trevat shqiptare e bëri shumë më me vlerë dhe të rëndësishëm.

Bashkëpunimi dhe socializimi në mes shkollave, diversiteti dhe përgatitja e tyre e bëri më të veçantë këtë edicion i cili shënon ngritjen më të madhe të organizimit dhe nivelit”, ka shkruar Uka.

Përshtypje të mirë për panairin ka edhe njëri nga pjesëmarrësit e tij, Faltum Meholli, nxënës i gjimnazit  “Frang Bardhi” nga Mitrovica.

“Unë kam marrë pjesë si anëtar i gjimnazit ‘Frang Bardhi’ nga Mitrovica, duke e përfaqësuar këtë gjimnaz në fushën e artit figurativ. Nxënës të shumtë që kanë marrë pjesë e kanë pasqyruar punën që e kanë mësuar në shkollat e tyre, si eksperimente, punime kulturore, teori të ndryshme, etj”, thotë për KosovaLive, Meholli.

Edicioni i Pestë i Panairit të Shkencës dhe Kulturës në Vushtrri u mbajt më 1,2 dhe 3 qershor në Palestrën sportive “Jeton Tërstena” në Vushtrri dhe në fund të këtij panairi, secili pjesëmarrës u shpërblye me nga një mirënjohje./Kosovalive/