Gjetje të reja arkeologjike në fshatin Trimor (Zhilivodë) të Vushtrrisë

VushtrriPostuar: 12:38 / 08.11.2016

Në fshatin Trimor (Zhilivodë) të Vushtrrisë , që shtrihet rrëzë maleve të Qyqavicës, rreth 21 km në jug të qytetit,vazhdon të zbulohen artefakte të reja arkeologjike.

Ky vendbanim është kodrinoro malor dhe i ndarë në disa lagje, të tipit të dendur.
Në këtë vendbanim kohë më parë është zbuluar një lokalitet arkeologjik nga Haxhimet Krasniqi duke punuar tokën bujqësore. Lokaliteti arkeologjik në fjalë është vizituar edhe nga Kryetari i Komunës Bajram Mulaku, zyrtarët e Muzeut Historik Etnografik të Vushtrrisë, zyrtarë nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe arkeologët e Institutit Arkeologjik , të cilët kanë konstatuar se mund të jetë i vjetër deri në 1500 vite.

Aty janë gjetur mure të themelit prej guri, furrë për shkrirjen e mineraleve, portrete apo figura antropomorfe të gdhendura në gurë, enë qeramike, mjete pune nga metali, tulla të pjekura të dimenzioneve të ndryshme, etj.

Disa nga gjetjet tashmë janë dorëzuar në Muzeun Historik Etnogafik të Vushtrrisë nga vet pronari I tokës Krasniqi .Por, gjetja e fundit e para ca ditëve në këtë lokalitet duket të jetë më interesante dhe atraktive për arkeologët. Një figurë antropomorfe, ku shihet koka e një mashkulli të gdhendur në gurë me një lartësi prej 6.2 cm dhe gjëresi prej 5 cm është një nga gjetjet më interesante, thekson Shukrane Begu, menaxhere e Muzeut Historik Etnografik në Vushtrri. /InfoKomuna/