Afati i dytë për pranimin e studentëve në UP, deri më 15 shtator

PrishtinëPostuar: 11:23 / 13.09.2017

Afati i dytë i konkursit plotësues për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor në Universitetin e Prishtinës, do të jetë i hapur deri më 15 shtator. Në këtë afat, do të pranohen rreth 2 mijë e 400 studentë, ndërsa provimet pranuese do të mbahen më 18 dhe 21 shtator dhe shpallja e rezultateve më 25 të këtij muaji.

Kandidatët për studentë në Universitetin e Prishtinës mund të aplikojnë deri më 15 shtator, në degët të cilat ka ende vende të lira. Prorektori në Universitetin “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, bëri të ditur për Radio Kosovën se pothuajse në të gjitha njësitë akademike ka vende të lira, përjashtuar disa programe ku është plotësuar numri që në afatin e parë.

“Sipas konkursit, gjithsej mund të pranojmë në afatin e dytë 2 mijë e 461 studentë, prej të cilëve 1 mijë e 827 janë të rregullt dhe 634 me korrespodencë. Këtyre u shtohen edhe kuotat e rezervuara prej familjeve të dëshmorëve, komunitetet jo shumicë dhe nga viset e banuara me shqiptarë. Sa i përket vendeve të lira ku studentët mund të aplikojnë, pothuajse në të gjitha fakultetet ka vende të lira, përjashtimisht Fakulteti i Edukimit dhe ai Juridik. Në të gjitha njësitë akademike të tjera ka vende të lira, por jo në të gjitha programet”, tha Sahiti.

Prorektori Sahiti, sqaroi se pragu minimal që duhet të plotësohet nga kandidatët për studentë është 40 për qind e pikëve të provimit pranues.

“Kjo nënkupton se aplikantët mund të plotësojnë më shumë se 40 për qind të provimit pranues. Ata do të rangohen, por nuk do të thotë që automatikisht do të pranohen. Do të pranohen ata që kanë më shumë pikë, dhe nëse plotësohen numri me kandidatët që kanë më shumë pikë dhe që kanë plotësuar 40 përqindëshin, të tjerët nën kuotë mbesin jashtë. Në këtë drejtim nuk do të ketë rritje të numrit, sepse aq e kemi kapacitetin”, tha  Sahiti.

Sa i përket konkursit për nivelin master, Sahiti tha se janë duke u finalizuar përgatitjet dhe së shpejti do të bëhet publik edhe konkursi për këtë nivel të studimeve. Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik 2017/2018.