Asllanaj premton dyfishim të numrit të të punësuarve në Suharekë

SuharekëPostuar: 13:46 / 17.11.2017

I bindur se qytetarët e Suharekës do ta mbështesin edhe për një mandat qeverisës, kryetari aktual i kësaj komune nga radhët e LDK-së, Sali Asllanaj ka vendosur që garës për balotazh t’i hyjë pa bërë koalicion me ndonjë subjekt tjetër.

Madje në një intervistë për KosovaPress ai tha se pret të ketë edhe mbështetjen e partive tjera politike ndonëse nuk ka lidhur marrëveshje me ta. Sipas tij, më e rëndësishmja është që qytetarët e komunës që ai e ka udhëhequr për tri mandate, të lihen të lirë për të vendosur se cili kandidat është më i miri për të qeverisur gjatë 4 vjetëve të ardhshme.

“Unë besoj  se nuk është nevoja të bëjmë koalicion fare. T’ua lëmë qytetarëve zgjedhjen e lirë dhe në këtë aspekt gjithmonë kam vlerësuar se koalicionet janë për rehatimin që bënë koalicioni për llogari të politikanëve që të vijnë në pushtet.  Nuk kemi nevojë për koalicione të tilla, kemi nevojë për një votë të mirëbesimit, të besimit të qytetarëve tek kandidati i caktuar. Në këtë aspekt unë pres mbështetjen e të gjitha partive politike, por pa asnjë koalicion me asnjë parti politike”,  tha Asllanaj.

Përkundër rezultatit të zgjedhjeve të 22 tetorit  ku LDK-ja  ka dalë e dyta në këtë komunë, Asllanaj thotë se beson në atë se shumica e qytetarëve besojnë në punën e madhe që është bërë në Suharekë nën udhëheqjen e tij, në krijimin e perspektivës për zhvillim ekonomik.

Sipas Asllanajt, komuna e Suharekës qëndron dukshëm më mirë sesa komunat tjera sa i përket zhvillimit ekonomik, por krahas kësaj, ai thotë se duhet të fokusohen në avancime të mëtutjeshme dhe rritje të pagave për punëtorët e sektorit privat.

Për këtë, ai tha se po përpiqen të gjejnë donatorë dhe investitorë të huaj në mënyrë që të sjellin risi në tregun e punës.

“Zhvillimi ekonomik dhe papunësia kanë qenë problem permanent i yni dhe Kosovës. Ne kemi bërë një avancim shtesë. Si komunë qëndrojmë dukshëm më mirë se komunat tjera në këtë aspekt sepse siç ju thash, kemi një kompani shumë serioze që punon dhe kemi me të vërtetë kemi papunësi më të vogël. Ka raste kur edhe nga komunat tjera vijnë të punojnë në kompani të Suharekës. Kjo na bënë më komod, por gjithsesi e di se ka nevojë për avancim të mëtutjeshëm, zhvillim ekonomik, ka nevojë për paga më të larta për punëtorët që punojnë në sektorin privat sepse sektori publik është i mbushur me staf dhe ai nuk ka mundësi të absorbojë forca punëtore”, tha ai për KosovaPress.

Në mesin e sukseseve që janë arritur në komunën e Suharekës përgjatë qeverisjes së tij, Asllanaj rendit infrastrukturën e mirë rrugore, shkollore, atë të mjekësisë familjare si dhe shërbimin efikas në administratën komunale.

“Kemi krijuar infrastrukturë të mirë rrugore, shkollore, të QKMF-ve ose mjekësive familjare, janë infrastruktura të mirëfillta të cilat mundësojnë kushte të mira pune. Dhe kemi shërbyer jashtëzakonisht efikase në administratën komunale dhe kjo na bënë të lumtur. Nuk ka qytetarë që është ankuar për një shërbim diçka në komunë dhe kur i shtohet krejt kjo përmirësimit në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime e bëjnë komunën tonë një komunë mjaft të qëndrueshme”, tha ai.

Duke folur për të arriturat, ai tha se gjatë mandatit të ardhshëm do të vazhdojnë të përfundojnë të gjitha punët e nisura më parë si dhe do të fokusohen të dyfishojnë numrin e punëtorëve në bizneset që operojnë në Suahrekë, duke u bazuar në kontratat që komuna ka me ato biznese që kanë marrë në shfrytëzim prona komunale.

“Do të vazhdojmë aty ku kemi mbetur me zhvillimin e zonës industriale, investimet më të fuqishme, me e bë sa më të fuqishme zonën industriale në Shirokë dhe Samatraxhë, në  mënyrë që vërtetë t’i tërheqim investitorët sa më shumë. Kemi sipërfaqe ende të pashfrytëzuar e të cilat do t’i japim në shfrytëzim. Kjo do të thotë zhvillim ekonomik. Pastaj do të vazhdojmë të përkujdesemi për gjeneratën e re sepse është resursi kryesor. Do të provojmë që të rinjtë t’i punësojmë... ”, theksoi Asllanaj.

Ai shtoi se do të punojnë edhe në zhvillimin e kulturës, përderisa do të vazhdojnë të ndërtojnë edhe objekte të tjera në mënyrë që të ofrojnë kushte më të mira për zhvillimin e kulturës dhe sportit.

“Po ndërtojmë një Shtëpi të madhe të Kulturës, që do t’i plotësojë kushtet për aktivitete kulturore. Po ndërtojmë objekte sportive. Tash në përfundim është stadiumi i ri i qytetit, i cili mundëson kushte më të mira për lojë”, tha ai për KosovaPress.

Krejt në fund, Asllanaj tha se nën qeverisjen e  tij për tri mandate radhazi, komuna e Suharekës ka arritur të  ketë një klimë të mirë të të bërit biznes, dhe  kjo është arsyeja se pse qytetarët e kësaj komune duhet të votojnë atë, në mënyrë që Suhareka të vazhdojë të përjetojë zhvillim të mirëfilltë ekonomik.