Bashkëpunimi ndër-institucional, rruga më e mirë drejt fuqizimit të nivelit lokal

Postuar: 17:17 / 05.04.2018

Instituti KLGI mbajti punëtorinë me temën ‘Raportet Qeverisje Qendrore dhe Qeverisja Lokale’, ku u adresuan bashkëpunimi, komunikimi dhe angazhimet e përbashkëta në mes të nivelit qendror dhe nivelit lokal.

Pjesëmarrës në ngjarje ishin zyrtarë të komunave të Kosovës të cilët patën mundësinë të përfitojnë nga ligjëratat dhe debatet e përbashkëta me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj, dhe u.d. Drejtorin Ekzekutiv të Institutit KLGI, Besnik Muçaj.

Në sesionet e punëtorisë u paraqitën progresi, sfidat dhe perspektiva lidhur me bashkëpunimin dhe komunikimin në mes të dy niveleve të qeverisjes. Në njërën anë, sfidat ndërlidhen me komunikimin ende të fragmentuar, mungesën e planifikimit strategjik të komunave, mungesën e kohezionit të politikave dhe legjislacionit, mungesën e standardeve dhe kritereve për ndarjen e fondeve nga ministritë e linjës dhe mungesën e mekanizmave të kontrollit dhe balancit të Kuvendeve Komunale. Ndërkaq, në anën tjetër, progresi shihet në aspektin e ligjshmërisë së akteve komunale, zgjedhjeve të fundit të lira dhe demokratike, dhe obligimet e përmbushura nga agjendën evropiane.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj, ka theksuar se reforma substanciale për pushtetin lokal duhet të fillojë me strukturat e reja komunale. Progresi që është arritur në përmirësimin e raporteve në mes të nivelit qendror dhe nivelit lokal vjen si rezultat i një baze progresive ligjore, parimet kushtetuese të cilat janë vendosur, inkorporomi i kartës evropiane në parimet kushtetuese dhe në legjislacionin e qeverisjes lokale. Sekretarja Ukimeraj foli edhe për praktikat e mira që janë sprovuar në Komunat e Kosovës dhe po shërbejnë si model për vendet e rajonit, e po ashtu për përkushtimin që ka MAPL në avancimin e koordinimit dhe mbështetjen e komunave në fushat e planifikimit strategjik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

U.d. Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Muçaj, vuri theksin në paqartësitë ligjore, procedurale dhe funksionale në mes të niveleve të qeverisjes, që për komunat po dalin si pengesë në zbatimin funksional të kompetencave dhe shërbimeve. Për rrjedhojë, komunat nuk po arrijnë të hartojnë politika dhe plane të qëndrueshme zhvillimore.

Vetëm atëherë kur këto sfida adresohen nga bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të dy niveleve të qeverisjes atëherë kemi siguruar themele të qëndrueshme të zhvillimit dhe arritjes së synimeve integruese.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). /InfoKomuna/