Bashkëpunimi ndër-komunal rrit potencialin për zhvillim ekonomik lokal

Postuar: 13:40 / 30.05.2018

Në ditën e tretë të trajnimit modular që po zhvillohet në Republikën e Maqedonisë, u trajtua dhe adresua roli i bashkëpunimit ndër-komunal (BKN) në ofrimin e shërbimeve, nxitja e zhvillimit rajonal dhe promovimi i tyre nga mediat.

Ligjërues në këto sesione të ndara ishin z. Besnik Muçaj, u.d. Drejtor Ekzekutiv i Institutit KLGI; z. Trim Berisha, Udhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal nga MAPL dhe znj. Kaltrina Ajeti, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit Kosovar të Mediave dhe Komunikimit.

Përfituesit e këtij programi të avancuar fillimisht u njohën qasjen e aspektit legjislativ dhe institucional lidhur me konceptin e bashkëpunimit ndër-komunal. Njëherësh, fokus i veçantë u vendos mbi procesin dhe procedurat e iniciativave për bashkëpunim ndër-komnal, nisur nga arsyetimi dhe prioritetet për nevojë të bashkëpunimit në mes të dy apo më shumë komunave, dërgesa për aprovim te Kuvendet Komunale (me shumicë të votave), fillimi i negocatiave në mes të institucioneve përkatëse e deri tek vlerësimi i ligjshmërisë së marrëveshjes dhe hyrjes në fuqi.

Marrë parasysh rolin e bashkëpunimit në mes të dy apo më shumë komunave, është tejet e rëndësishme që këto forma të bashkëpunimit të jenë efikase edhe në implementim, duke mos mbetur vetëm në letër.

Njëkohësisht, komunikimi i zyrtarëve për informim me mediat lokale dhe qendrore është njëra nga mekanizmat efektiv për të promovuar aktivitetet e komunave dhe sukseset/praktikat e mira të arritura përmes bashkëpunimeve ndërmjet komunave. Ky komunikim duhet të jetë dy-kahor, ku duhet të vendosen caqet dhe objektivat se çfarë duhet të prezantohet para publikut.

Në fund të sesioneve trajnuese, pjesëmarrësit përmes punës në grupe shkëmbyen eksperiencat dhe modelet në komunat përkatëse, njëherësh përmes punës praktike bënë identifikimin e fushave të BKN-së, përfitimet e BKN-së në ofrimin e shërbimeve dhe projektet e përbashkëta përmes BKN-së.

Programi mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë! /InfoKomuna/