Çka premtuan kandidatët në balotazh për përfaqësimin gjinor?

Postuar: 13:20 / 17.11.2017

Në raundin e parë të debateve për kryetar komune, shumica e kandidatëve kanë dhënë premtimet e tyre se nga sa drejtori do t’ua besojnë grave për udhëheqje e disa të tjerë nuk kanë dhënë shifra të sakta për këtë.

Edhe pse në shumë raste nuk respektohet Ligji për Barazi Gjinore për përfaqësim të barabartë në institucione vendimmarrëse prapëseprapë, bazuar në premtimet e marra nga kandidatët të cilët janë vënë përballë njëri tjetrit në balotazh, numri i tyre do të jetë më i madh.Në komunën e Gjilanit fillimisht nuk ka qenë e emëruar asnjë drejtoreshë, ndërsa pas pensionimit të njërit prej drejtorëve është emëruar si ushtruese detyre një grua. Kandidatët të cilët do të përballen në balotazh kanë premtuar që ky numër do të rritet dhe në qeverisjen e tyre do te kenë 3 ose 5 gra. Në komunën e Istogut në mandatin e kaluar ka qenë vetëm një drejtoreshë grua, në Debat Pernime, njëri nga kandidatët nuk ka dhënë shifra se sa drejtoresha do t’i ketë në ekip kurse tjetri ka premtuar që gjysma e drejtorive do tu besohet udhëheqjes së grave.

Në komunën e Kaçanikut ka qenë vetëm një drejtoreshë në mandatin e kaluar kurse këtë mandat është premtuar që ky numër do të rritet. Kurse në Klinë përderisa në mandatin e kaluar kryetari Bashota kishte emëruar vetëm një grua në krye të drejtorive për këtë mandat kandidatët që synojnë të parin e komunës kanë premtuar që ky numër do të rritet në tri e më shumë.

Në komunën e Kamenicës është bërë një premtim pa shifra e një tjetër që do të jenë mbi 50 përqind e drejtorive të udhëhequra nga gratë. Në Mitrovicë të dy kandidatët kanë premtuar që do të respektohet Ligji për Barazi Gjinore duke emëruar pesë ose gjashtë gra në krye të drejtorive. E në Obiliq qytetarët mund të zgjedhin mes atij që ka premtuar se gjysma e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë dhe atij që ende nuk ka dhënë shifra, e që mund t’i premtojë në debatin e ardhshëm për komunën e Obiliqit.

Për komunën e Rahovecit në qeverisjen e kaluar fillimisht asnjë drejtori nuk ka qenë e udhëhequr nga një grua por pastaj kryetari Idriz Vehapi e ka emëruar një. Në raundin e parë të Debat Pernime asnjëri nga kandidatët që synojnë kreun e Rahovecit nuk ka dhënë shifra se sa drejtoresha do t’i kenë në ekipin e tyre udhëheqës.

Në Podujevë në mandatin e fundit të Agim Veliut kanë qenë dy drejtoresha. Njëri nga kandidatët nuk ka dhënë shifra se sa do të jetë numri i grave drejtoresha në ekipin e tij por ka premtuar që ky numër do të rritet kurse kandidati tjetër ka premtuar që do t’i emërojë dy drejtoresha nëse ai zgjidhet kryetar. Në komunën e Prishtinës janë premtuar pesë ose gjashtë drejtoresha në qeverisjen e ardhshme komunale. Edhe në Prizren kandidatët janë shprehur se do ta respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore duke emëruar gratë si udhëheqëse në krye të gjysmës së drejtorive. Komuna e Shtimes në mandatin e ardhshëm do të ketë dy, tri ose katër drejtoresha kurse në Suharekë, ku mandatin e kaluar nuk e ka pasur asnjë drejtoreshë, për këtë mandat është premtuar se do të ketë dy ose tri.

Në komunën e Ferizajt ku në mandatin e kaluar kryetari Muharrem Svarqa ua kishte besuar vetëm dy grave drejtimin e drejtorive, për këtë mandat kandidatët për kryetar të komunës kanë premtuar tri, katër ose pesë gra në krye të drejtorive komunale. Kandidatët e Vushtrrisë kanë premtuar katër ose pesë drejtoresha në mandatin e ardhshëm kurse ata të Malishevës dy ose tri.

Ligji për Barazi Gjinore të Kosovës i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2015 obligon që të ketë përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha institucionet përfshirë edhe ato vendimmarrëse.

“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse” thuhet në nenin 6 pika 8 e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës.

Edhe Avokati i Popullit e konsideron veprim të domosdoshëm, dhënien e mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi çfarëdo baze, në listat e kandidatëve dhe në procesin zgjedhor si tërësi.

Avokati i Popullit para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit ka dalë me një deklaratë ku është shprehur se pret nga subjektet politike që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, ashtu siç edhe nga KQZ, që të respektojnë parimin e barazisë ku sigurohet përfaqësim prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini, duke siguruar kështu respektimin e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Komuna e Gjilanit

Në komunën e Gjilanit me 19 nëntor në balotazh do të jenë përballë, kryetari aktual, Lutfi Haziri dhe kandidati i VV-së, Sami Kurteshi. Sipas rezultateve të KQZ-së, Lufti Haziri ka dalë i pari me 19 mijë e 755 ose 43,51 për qind të votave ndërsa Sami Kurteshi ka arritur të marrë 12 mijë e 614 ose 27,78 për qind të votave.

Në debatin për zgjedhjet lokale në komunën e Gjilanit të dy kandidatët kanë dhënë premtimet e tyre se nga sa gra drejtoresha do t’i kenë në ekipet e tyre udhëheqëse.

“Definitivisht mendoj që tri zonja duhet minimalisht me shku”, është përgjigjur Lutfi Haziri nga LDK.

Në mandatin e fundit Haziri fillimisht nuk kishte emëruar asnjë drejtoreshë. Në mesin e mandatit drejtori i arsimit Nazmi Musa kishte dalur në pension dhe Lutfi Haziri kishte emëruar si ushtruese të detyrës Shqipe Kastrati – Hazirin. Ajo pak para përfundimit të mandatit kishte dhënë dorëheqje për shkaqe personale kështu që u zëvendësua nga Bardhyl Syla i cili tash është drejtor i arsimit në Gjilan.

Nga ana tjetër kundërkandidati i Hazirit, Sami Kurteshi nga VV ka premtuar që gjysmën e drejtorive do ua besoj grave.

“Kjo do të shkojë sipas meritës profesionale, ne nuk bëjmë asnjë lloj diskriminimi. Për mua ligji është mbi të gjitha, një ligj për të cilin kam luftuar, unë e respektoj”, është përgjigjur Kurteshi.

Komuna e Istogut

Në komunën të cilës shteti ia ndan 9.3 milionë euro buxhet në vit, dy kandidatët të cilët do të përballen me njëri tjetrin janë, Haki Rugova nga LDK i cili në zgjedhjet e 22 tetorit ka marrë 7 mijë e 977 vota ose 43,13 për qind dhe Gani Dreshaj nga AAK që ka marrë 6 mijë e 921 vota ose 37,42 për qind të .

Haki Rugova i cili po kandidon për të marrë timonin e Istogut për herë të tretë, në “Debat Përnime” nuk ka dhënë ndonjë premtim se sa gra do t’i emëroj në krye të drejtorive.

“Unë nuk do të jap shifër, do ta shohim në takimin e ardhshëm sa do të jenë”, është shprehur Rugova.

Kurse kandidati tjetër, Gani Dreshaj nga AAK që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ka arritur të siguroj 37,42 për qind të besimit të qytetarëve të Istogut, ka premtuar që numri i drejtorive do të ndahet në mënyrë të barabartë.

“Drejtoritë do t’i ndaj në mënyrë të barabartë”, ka theksuar Dreshaj në debatin për komunën e Istogut.

Në mandatin e fundit vetëm një grua ka marrë besimin e Rugovës për udhëheqjen e një drejtorie.

Komuna e Kaçanikut

Kryetari aktual i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi nga PDK dhe Basri Kodra nga VV do të garojnë për pozitën e kryetarit të Kaçanikut.

Besim Ilazi në raundin e parë të zgjedhjeve ka arritur të siguroj besimin e 6 mijë e 588 qytetarëve ose 40,97 për qind të votave.

Ilazi ka thënë se ka pasur përparim në qeverisjen e tij sa i përket emërimit të grave në krye të drejtorive.

“Në mandatin e parë nuk kam pasur asnjë, në mandatin e dytë e kam pasur një, po shpresoj që do të jetë në rritje e sipër”, është shprehur Ilazi.

Kurse kandidati i VV-së, Basri Kodra ka dalur i dyti me 3 mijë e 353 vota ose 20,85 për qind.

Kodra ka refuzuar të jap një numër të saktë kur është pyetur se sa gra do t’i emëroj në krye të drejtorive në Kaçanik.

“Hapësira është e barabartë për të dy gjinitë, nuk mund të themi me numra sa”, ka thënë Kodra.

Momentalisht në komunën e Kaçanikut vetëm një drejtori udhëhiqet nga një grua.

Komuna e Klinës

Edhe komuna e Klinës nuk ka arritur ta zgjedhë kryetarin e saj në raundin e parë.

Me 22 tetor Sokol Bashota ka qenë më i votuari me 6 mijë 507 vota ose 37,07 për qind kurse pas tij është radhitur Zenun Elezaj nga AAK me 4 mijë e 511 ose 25,70 për qind të votave.

Bashota i cili është edhe kryetari aktual i komunës, në debatin për komunën e Klinës ka premtuar që përfaqësimi gjinor i grave do të jetë më shumë se kuota prej 30 për qind, sa është në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

“Përfaqësimi gjinor do të jetë më i madh se në parlamentin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Bashota.

Në qeverisjen aktuale kryetari Bashota e pati emëruar vetëm një drejtoreshë në ekipin e tij udhëheqës.

Edhe kandidati i AAK-së, Zenun Elezaj ka premtuar se nëse zgjidhet kryetar, ekipi i tij do të ketë tri e më shumë gra drejtoresha.

“Edhe unë premtoj tri drejtori e më tepër”, ka potencuar Elezaj.

Komuna e Kamenicës

Qytetarët e komunës së Kamenicës në balotazh do të zgjedhin mes Shaip Surdullit të  LDK-së i cili ka qenë për tri mandate kryetar dhe Qëndron Kastratit të VV-së i cili garon për herë të parë për pozitën e kryetarit të komunës.

Kastrati nga VV ka arritur të dalë i pari dhe të grumbulloj 5 mijë e 789 vota ose 33,33 për qind ndërsa Shaip Surdulli nga LDK ka marrë 5 mijë e 003 vota ose 28,81 për qind.

Edhe kandidatët për kryetar të komunës së Kamenicës janë përgjigjur në pyetjen se sa gra do t’i emërojnë si drejtoresha në mandatin e tyre.

“Synojmë që mbi 50 për qind të jenë gra”, ka qenë përgjigja e Qëndron Kastratit në debatin për komunën e Kamenicës.

Kurse Shaip Surdulli nga LDK ka refuzuar të përgjigjet me shifra specifike.

“Nuk mund të themi me numra, krejt varet prej performancës”, ka thënë Surdulli.

Komuna e Mitrovicës

Në komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi nga PDK ka dalë e para me 9 mijë e 013 vota ose 29,63 për qind. Kurse kryetari aktual i Mitrovicë në garën për kryetar të Mitrovicë ka dalë i dyti me  8 mijë e 222 ose 27,03 për qind të votave.

Sai përket përfaqësimit të barabartë gjinor në udhëheqjen e drejtorive, të dy kandidatët për kryetar të Mitrovicës janë përgjigjur se do të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore.

“50 me 50, do ta respektoj ligjin”, ka qenë premtimi i Valdete Idrizit në Debat Pernime për komunën e Mitrovicës.

Kurse kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri i cili në mandatin e kaluar kishte emëruar vetëm një grua si drejtoreshë, ka premtuar se këtë mandat do t’ua besoj gjashtë grave udhëheqjen e drejtorive.

Komuna e Obiliqit

Në komunën e Obiliqit balotazhi ka vënë përballë kandidatin e AAK-së, Xhafer Gashi i cili në zgjedhjet e 22 tetorit ka marrë besimin e 5 mijë e 804 qytetarëve ose 48, 93 për qind të votave. Kurse menjëherë pas tij për nga numri i votave është radhitur kandidati nga radhët e LDK-së, Mehmet Krasniqi me 3 mijë e 223 vota ose 27,17 për qind.

Në komunën e cila ka 11 drejtori, Xhafer Gashi ka premtuar se gjysma e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.

“50 për qind, nëse thuhet me ligj ne do ta respektojmë ligjin”, ka thënë ai.

Kurse Mehmet Krasniqi numrin e grave drejtoresha e ka lidhur me numrin e votave që do t’i marrë në zgjedhje.

“Nëse fitojmë pa balotazh është krejtësisht e mundur 50 për qind. Nëse jo, atëherë varemi nga të tjerët”, ka potencuar Krasniqi.

Komuna e Rahovecit

Në komunën e vreshtave dhe rrushit fillimisht kryetari aktual Idriz Vehapi nga PDK nuk kishte emëruar asnjë grua në krye të drejtorive por më vonë me ndërrimin e një drejtori ai e emëroi një grua drejtoreshë.

Nga rezultatet e zgjedhjeve të 22 tetorit shihet se Smajl Latifi nga AAK ka dalë i pari duke grumbulluar 7 mijë e 684 vota ose 33,53 për qind.

Ai në Debat Pernime nuk ka dhënë një shifër të saktë se sa do të jetë numri i grave drejtoresha por ka premtuar se ai do të rritet.

“Nuk mundem me dhanë shifra por gjithsesi do të rritet numri”, ka thënë Latifi.

Kurse kryetari aktual i Rahovecit, Idriz Vehapi, ka dalë i dyti me 6 mijë e 785 vota ose 29,60 për qind.

Edhe Vehapi nuk ka premtuar numra për gratë që do t’i ketë në ekipin e tij udhëheqës.

“As unë nuk jap shifra, as përqindje”, është shprehur Vehapi.

Komuna e Podujevës

Në komunën e cila është qeverisur nga LDK që nga paslufta, përsëri kandidati i saj Agim Veliu ka dalë i pari në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ai ka arritur që të siguroj 18 mijë e 801 ose 48,29 për qind  të votave kurse kundërkandidati i saj nga radhët e Vetëvendosjes, Ajet Potera ka dalë i dyti me 11 mijë e 576 ose 29,73 për qind të votave.

Në udhëheqjen aktuale të komunës Agim Veliu ka emëruar vetëm dy drejtoresha nga 11 sa janë gjithsej në komunën e Podujevës. Por Veliu ka premtuar rritje të numrit në mandatin e ardhshëm.

“Në mandatin e ardhshëm do të tentojmë ta rrisim numrin e drejtoreshave por përqindjen e saktë nuk do ta them”, ka potencuar Veliu.

Kurse Ajet Potera, kandidati i VV-së për kryetar të Podujevës ka premtuar që nëse bëhet kryetar i Podujevës do t’i emër dy gra në krye të drejtorive.

“Në platformën tonë e kemi nda që në katërvjeçarin e ardhshëm do ta udhëheqin drejtorinë e arsimit dhe atë të shëndetësisë”, ka potencuar Potera.

Komuna e Prishtinës

Në kryeqendrën e Kosovës me 19 nëntor përballë njëri tjetrit në balotazh janë kryetari aktual, Shpend Ahmeti nga VV i cili në raundin e parë ka marrë 37 mijë e 572 ose 43,32 për qind të votave dhe Arban Abrashi nga LDK i cili me 22 tetor ka siguruar 31 mijë e 126 ose 35,89 për qind të votave të kryeqytetasve.

Ahmeti në Debat Pernime ka premtuar se nëse do të rizgjidhet prapë kryetar i Prishtinës do të ketë synim që të emëroj gratë në krye të gjysmës së drejtorive.

“Do të mundohemi ta arrijmë kuotën por megjithatë nuk do të shkojmë që vetëm për të treguar që ka barazi gjinore duhet ta kemi gjysmën, por megjithatë synojmë që gjysma e drejtorive të jenë gra”, ka shtuar Ahmeti.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, në debatin e parë për komunën e Prishtinës ka premtuar publikisht se më shumë se gjysma drejtorive do të udhëhiqen nga gratë nëse ai zgjidhet kryetar.

“Unë zotohem që 6 drejtori do të udhëhiqen prej grave”, ka theksuar Abrashi.

Komuna e Prizrenit

Në komunën e dytë më të madhe në Kosovë, kandidati i PDK-së dhe ai i VV-së janë vënë përballë njëri tjetrit në balotazh.

Shaqir Totaj nga radhët e PDK-së ka arritur të sigurojë 19 mijë e 410 ose 29,66 për qind të votave kurse kandidati i VV-së, Mytaher Haskuka nga VV, ka grumbulluar 14 mijë e 592 ose 22,30 për qind të votave në Prizren.

Kur kandidatët për kryetar të Prizrenit janë pyetur se sa gra do t’i emërojnë në krye të drejtorive, të dy janë përgjigjur se do ta respektojnë ligjin për barazi gjinore.

“Unë them 50 për qind”, është përgjigjur Totaj.

Edhe Haskuka nga VV është shprehur se gjysma e drejtorive do të drejtohen nga gratë.

“Nga 13 drejtori do t’i reduktojmë në 10, pesë prej tyre do të udhëhiqen prej grave”, ka theksuar kandidati i VV-së.

Komuna e Shtimes

Qytetarët në komunën e Shtimes do të dalin për të votuar edhe me 19 nëntor për të zgjedhur të parin e komunës.

Nga raundi i parë i zgjedhjeve të 22 tetorit prin Naim Ismaili nga PDK me 4 mijë e 942 ose 38,65 për qind të votave. Pas tij është radhitur kandidati i pavarur Fatmir Rashiti me 3 mijë e 446 vota ose 26,95 për qind.

Sa i përket emërimit të grave në krye të drejtorive në komunën e Shtimes, Naim Ismaili në Debat Pernime ka thënë se dy ose tri drejtoresha do të jenë minimumi i garantuar.

“Ky është minimumi i garantuar dhe besoj që numri do të rritet”, ka potencuar Ismaili.

Ndërsa kundërkandidati i Ismailit, kandidati i pavarur, Fatmir Rashiti ka premtuar se edhe në marrëveshje me koalicionin do t’i bëjë minimumi 4 drejtori të udhëhequra nga gratë.

Komuna e Suharekës

Edhe Suhareka është ndër 18 komunat që kanë shkuar në balotazh. Me 22 tetor më i votuari ka qenë Bali Muharremaj nga AAK i cili ka fituar 11 mijë e 270 ose 39,82 për qind të votave. Pas tij është radhitur kryetari aktual i Suharkës, Sali Asllanaj nga LDK me 9 mijë e 692 vota ose 34,25 për qind.

Në këtë mandat Sali Asllanaj nuk kishte emëruar asnjë grua në krye të drejtorive por ai në Debat Pernime ka premtuar se nëse rizgjidhet kryetar i Suharekës ai do t’i emëroj së paku dy drejtoresha.

“Në mandatin e ardhshëm do t’i kem minimum dy, por nëse ka mundësi edhe më tepër”, ka theksuar Asllanaj.

Kurse kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj ka premtuar se në krye të 30 për qind të drejtorive do të jenë gratë.

Komuna e Ferizajt

Në komunën e mbi 10 mijë objekteve  pa leje, në balotazh do të përballen Agim Aliu nga PDK, i cili ka grumbulluar 19 mijë e 733 ose 39,23 për qind të votave dhe kryetari aktual i Ferizajt, Muharrem Svarqa nga LDK i cili ka dalë i dyti me 15 mijë e 721 ose 31,25 për qind të votave.

Muharrem Svarqa në këtë mandat kishte emëruar dy gra në krye të drejtorive, por në Debat Pernime ai ka premtuar që nëse zgjidhet përsëri kryetar i Ferizajt do të rris numrin e tyre.

“Katër deri në pesë drejtori për gratë”, është përgjigjur Svarqa.

Kurse Agim Aliu, i cili ka dalë përpara Svarqës në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ka premtuar se në ekipin e tij udhëheqës do t’i ketë tri gra në krye të drejtorive.

“Unë synoj që të kenë tri drejtori femrat në qeverisjen time”, është shprehur Aliu.

Komuna e Vushtrrisë

Në komunën e Vushtrrisë të njohur për monumentet e saj historike, qytetarët do të zgjedhin në mes, Ferit Idrizit nga PDK dhe Xhafer Tahirit nga LDK.

Në Vushtrri është votuar kështu me 22 tetor, 10 mijë e 028 ose 33,32 për qind e votave për Ferit Idrizin dhe 7 mijë e 759 ose 25,78 për qind e votave për Xhafer Tahirin.

Të dielën e 19 nëntorit, vushtrriasit do të kenë mundësi të zgjedhin mes Ferit Idrizit, i cili ka premtuar se diku katër drejtori do të drejtohen nga gratë nëse ai bëhet kryetar dhe Xhafer Tahirit, i cili ka premtuar se do t’i emëroj të paktën pesë gra në krye të drejtorive, nëse qytetarët e Vushtrrisë ja besojnë atij udhëheqjen e komunës.

Komuna e Malishevës

Qyteti me 55 mijë banorë, synohet nga njëri prej dy kandidatëve të cilët garojnë për kreun e komunës. Ragip Begaj nga Nisma për Kosovën, i cili me 22 tetor ka arritur të siguroj 8 mijë e 885 ose 41,03 për qind të votave, do të ketë përballë kandidatin e PDK-së, Mursel Gashi i cili ka arritur të grumbulloj 5 mijë e 968 ose 27,56 për qind të votave në Malishevë.

Në komunën e Malishevës janë gjithsej 11 drejtori dhe secili prej këtyre dy kandidatëve që po e synojnë karrigen e të parit të komunës kanë premtuar dy ose tri drejtori të udhëhequra nga gratë nëse ata zgjidhen kryetar të Malishevës.

Me 13 nëntor fillon fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve nëpër 18 komunat të cilat kanë shkuar në balotazh. Me fillimin e fushatës fillon edhe transmetimi i “Debat Përnime” me kandidatët për kryetar komune. Ata përsëri do të përgjigjen në pyetjet se sa gra do t’i emërojnë në krye të drejtorive, për të parë nëse ata kanë për të thënë diçka më ndryshe nga raundi i parë i debateve. Kjo i jep mundësi KALLXO.com që pas formimit të qeverive komunale t’i vërtetojë deklaratat me anë të Krypometrit.