Debatohet forma e organizimit të Testit të Maturës

DeçanPostuar: 09:39 / 28.03.2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Komisioni Shtetëror të Maturës (KShM), ku janë bërë të ditura ditët kur do të mbahet Testi i Maturës 2018 dhe përgatitjet që janë duke u bërë për realizimin me sukses të këtij testi.

Ministri Bytyqi, me këtë rast theksoi se me punën e Komisionit Shtetëror të Maturës kanë ardhur te një formulë e re e organizimit të Testit të Maturës, duke marrë parasysh informacionet dhe shqetësimet nga testet e kaluara, raporton InfoKomuna.

“Ideja jonë ka qenë që të gjejmë një formë të organizimit sa më të mirë, që rrjedha e Testit të Maturës të jetë në suaza sa më të mira dhe rezultatet të jenë reale”, tha ai.

Një nga risitë e Testit për këtë vit, të cilën e përmendi ministri Bytyqi, është se testi nuk do të mbahet në ditën e njëjtë, por i ndarë në katër regjione në tërë territorin e Kosovës dhe në katër ditë të ndryshme, për të cilat do të përgatiten teste të ndryshme për secilin regjion.

Në mënyrë që Testi i Maturës të funksionojë siç duhet dhe rezultatet të jenë reale, ministri Bytyqi theksoi rolin e rëndësishëm të Drejtorive Komunale të Arsimit, ndërsa kërkoi nga ato që të përcjellin informacionin në secilën shkollë dhe përmes shkollës te secili nxënës, që në ditën e mbajtjes së testit nuk do të lejohen telefonat mobil.

Ndërsa drejtori i DKA-së në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, në ketë takim të përbashkët tha se komuna e Deçanit çdo vit ka sjell rezultatet të kënaqshme sa i përket testit të maturës.

"Edhe ketë vit në jemi të gatshëm që sipas rregullave të parapara nga MAShT, mirëpo kërkoj nga MAShT që të marrë në përgjegjësi transportin e mësimdhënësve të cilët caktohen si administrues të testit dhe duhet të shkojnë në komuna tjera gjatë organizimit të Maturës Shtetërore. Kjo sepse disa komuna kemi problem përballimin financiar të këtij transporti", theksoi Maloku.

Ai e mbylli diskutimin duke kërkuar mirëkuptim nga ministri dhe duke shpresuar se ky shqetësim nuk është me vonesë i parashtruar për Ministrinë e Arsimit!

“Besoj se do të arrijmë që ta administrojmë mirë këtë radhë Testin e Maturës dhe me rezultatet që do t’i kemi nga ky test do ta kemi më lehtë të marrim masa konkrete sa çka duhet të ndryshojmë”, tha ministri Bytyqi.

“Komisioni Shtetëror i Maturës dhe Divizioni për Standarde, Vlerësim dhe Monitorim do të dizajnojnë për herë të parë një certifikatë unike për nxënësit, të cilët e kalojnë me sukses pragun e Testit”, tha ai, ndërsa theksoi se Testi do të ketë 200 kërkesa në të dy pjesët dhe pragu i kalueshmërisë do të jetë 40 % sipas Ligjit.

Në fund u tërhoq edhe shorti për secilin regjion dhe sipas kësaj tërheqje, datat e mbajtjes së Testit të Maturës 2018 në afatin e parë do të mbahen sipas kësaj renditje: Ferizaj – Gjilan: 28.05.2018 (dita e parë), 05.06.2018 (dita e dytë) Prishtinë: 29.05.2018 (dita e parë), 06.06.2018 (dita e dytë) Prizren – Gjakovë: 30.05.2018 (dita e parë), 07.06.2018 (dita e dytë) Pejë – Mitrovicë: 31.05.2018 (dita e parë), 08.06.2018 (dita e dytë).

PrishtinëKomente: 0 Vazhdon furnizimi me ngrohje nga Termokos 11:36 / 15.04.2024 NP “Termokos” SH.A. njofton gjithë konsumatorët, se ndonëse sot ka qenë afati i zakonshëm ligjor për përfundimin e sezonit ngrohës 2023/2024, pas paralajmërimeve dhe konsultimeve me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës për rënie të temperaturave ditëve...