Fillon ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë

DeçanPostuar: 11:03 / 24.04.2018

Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim më komunën e Deçanit sot do të mbajnë ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e Rrugës Deçan – Plavë.

Ceremonia e inaugurimit të punimeve do të mbahet tek “Hidrocentrali Lumbardhi” (ish-Kozhnjeri), kilometri i gjashtë, me fillim nga ora 11:00.

Ndryshe, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një prononcim për Indeksonline, dje ka dhënë detaje lidhur me ndërtimin e kësaj rruge.

“Punimet e rrugës që e lidhë Deçanin me Malin e Zi, konkretisht me rajonin e Plavës, nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve do të përfundojnë në 2020. Ne si fillim për tu nisur punimet i kemi ndarë katër milion euro, por në total mund të shkojë deri në rreth 10 milion euro. Tani për tani do të bëhet ndërtimi i saj dhe kur gjithçka të jetë përfunduar sa i përket ndërtimit, do të vendoset emri i rrugës, të cilin emër do ta vendosim duke u konsultuar me banorët e atij rajoni dhe institucionet relevante. Por në këtë kohë e rëndësishme është që po niset projekti në fjalë, sepse ajo zonë e ka të nevojshme atë arterie për të zhvilluar turizmin e rrjedhimisht ekonominë e vet dhe lidhjen me shtetin e Malit të Zi, si fqinjë të mirë që jemi”, ka thënë Lekaj./Indeksonline/