Ramosaj: Me subjektet opozitare bashkëpunim, jo koalicion

DeçanPostuar: 10:59 / 28.12.2017

Pas tetë vjetësh me radhë si drejtor i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Deçanit, Bashkim Ramosaj edhe zyrtarisht, pas betimit të dhënë më 14 dhjetor, ka ndërruar zyrën e tij të drejtorit me atë të kryetarit të Komunës, për të cilin post ai më 22 tetor kishte fituar bindshëm që në raundin e parë me 64.26 për qind të votave të fituara, shkruan sot Koha Ditore.

Fitorja e lehtë nuk do ia lehtësojë aspak punët që e presin në katër vjetët e ardhshëm, pasi si drejtor komunal dy mandatet e fundit i njeh mirë problemet me të cilat përballet kjo komunë, si dhe nevojat që i kanë qytetarët e kësaj komune.

Megjithëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që nga viti 2007 ka qeverisur e vetme me këtë komunë dhe do të vazhdojë të qeverisë edhe katër vjetët e ardhshëm, Ramosaj synon që qeverisja e tij të dallojë nga të tjerët para tij.

Prioritet parësor Ramosaj tregon se ka qeverisjen me transparencë të plotë dhe bashkëpunim me qytetarët.