Dështon projekti i fabrikës së sheqerit në Skenderaj

SkënderajPostuar: 09:34 / 12.02.2018

Kompania britanike “DarkStar” përfundimisht është tërhequr nga investimi 27-milionësh për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Dashefc të Skenderajt, e para e këtij lloji në Kosovë.

Kësisoj, në Skenderaj dështon edhe një investim i huaj, pas atij të Parkut Teknologjik, për të cilin kompania sllovene “Tehnopolis” do t’i investonte 8 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Përfundimisht ka dështuar projekti i fabrikës së sheqerit në Dashefc të Skenderajt, një projekt 27-milionësh i kompanisë së njohur britanike “DarkStar”, i nënshkruar me Komunën e Skenderajt në qershorin e vitit 2015. Kësisoj, në Skenderaj dështon edhe një investim i huaj, pas atij të Parkut Teknologjik në afërsi të Fabrikës së Gjuetisë në Skenderaj, për të cilin kompania sllovene “Tehnopolis” ishte zotuar se do t’i investonte 8 milionë euro.

Fabrika e sheqerit, një investim i kompanisë britanike “DarkStar”, jo që nuk kishte filluar të ndërtohej në shkurtin e vitit 2016, ashtu siç ishte precizuar me marrëveshjen e nënshkruar në mes të kompanisë britanike “DarkStar” dhe Komunës së Skenderajt më 24 qershor të vitit 2015, por as pas 3 vjetëve nga nënshkrimi i kontratës.

Në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes merrte pjesë edhe ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Conell, i cili kishte thënë se i gëzohet faktit që biznesmenët britanikë do të investojnë në Kosovë, duke inkurajuar shtetin që investitorët e huaj të mbrohen, të përkrahen dhe të inkurajohen për të investuar në Kosovë.

Prania e tij në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes kishte forcuar edhe më shumë bindjen se projekti nuk do të dështojë, ndonëse Komuna e Skenderajt kishte përvojë të keqe, pasi që kishte dështuar projekti i Parkut Teknologjik vetëm pak kohë më përpara.

Gazeta "Zëri", është përpjekur t’i kërkojë arsyet e dështimit të projektit të fabrikës së sheqerit në Dashefc të Skenderajt, por nuk ka mundur të marrë asnjë përgjigje nga ish-pushtetarët e komunës së Skenderajt, ndërsa përfaqësues të kompanisë “DarkStar” nuk janë dukur më fare në Kosovës prej nënshkrimit të marrëveshjes me Komunën e Skenderajt.