Diskutohet rifunksionalizimi i ndërmarrjes "Boksitet e Kosovës"

KlinëPostuar: 14:50 / 11.07.2019

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka pritur sot në takim drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Valon Tolaj, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja institucioneve, si dhe për mundësinë e zgjidhjes së çështjeve që janë në interes të dy palëve.

Kryetari Elezaj e falënderoi drejtorin Tolaj për vizitën dhe e njoftoi punën dhe aktivitetet komunale dhe problemet me të cilat përballet komuna e Klinës me prona.

Ndërsa drejtori i AKP-së, Valon Tolaj, e ka falënderuar kryetarin për pritjen, si dhe ofrimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në zgjidhjen e kontesteve të mundshme, që kanë të bëjnë me privatizimin.

Në këtë takim u diskutua edhe për ndërmarrjen shoqërore, “Boksitet e Kosovës”, e cila para luftës ka pasur mbi 600 të punësuar, ndërkohë që tash akoma nuk është privatizuar. 

Për këtë ndërmarrje kryetari Elezaj ka kërkuar që të shpallet zonë me interes strategjik, me qëllim që të rifunksionalizohet dhe të mundësohen qindra vende të reja të punës. /InfoKomuna/