DnV raporton për parregullsi në procesin zgjedhor

Postuar: 14:49 / 19.11.2017

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon të vëzhgojë procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale që po zhvillohet sot në tërë territorin e vendit.

Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 145,126 qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 10.7% e të gjithë votuesve me të drejtë vote.

Dalja e votuesve në zgjedhje në komunat më të mëdha të Kosovës: Gjakovë (12.6%),  Prishtinë (13.19%), Prizren (8.56%), Mitrovicë (11.34%), Gjilan (7.88%), Ferizaj (11.24%).

Sipas DnV, parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë:

Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve

Këto vështirësi po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 107 vendvotime, ose 6% të vendvotimeve. Komunat ku është shënuar ky problem janë: Podujevë me 15 vendvotime, në Mitrovicë në 12 vendvotime; Gjakovë dhe Prishtinë me nga 10 vendvotime.

Votimi familjar

Gjithsej 68 vendvotime, ose në përqindje 3.8 % të të gjitha vendvotimeve. Prijnë komunat: Ferizaj (në 17 vendvotime), Gjakova (në 8 vendvotime), Mitrovica (në 5 vendvotime).

Fotografimi i votës

Është evidentuar në 27 vendvotime në nivel vendi,  përkatësisht 1.5% të të gjitha vendvotimeve. Në komunën e Prishtinës në 6 vendvotime, në Gjakovë në 4 vendvotime dhe në Podujevë në 3 vendvotime.

Asistimi i votuesve më shumë se një herë

Gjithsej 19 vendvotime (rreth 1 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Suhareka ( në 4 vendvotime), Prishtina (në 3 vendvotime) dhe Gjakova, Ferizaj dhe Mitrovica në nga 2 vendvotime.

Raste të votimit jashtë kabinave të votimit (ose publikimit të votës)

Gjithsej në 17 vendvotime (ose në rreth 1% të vendvotimeve). Në komunat: Prizren, Suharekë dhe Podujevë në nga 3 vendvotime.

Prania e personave të paautorizuar në vendvotime

Është evidentuar në 12 vendvotime (rreth 0.7 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Podujevë në 4 vendvotime, në Mitrovicë dhe Prishtinë  me nga 2 vendvotime.

Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë)

Gjithsej në 3 vendvotime, në komunat: Podujevë, Klinë dhe Mitrovicë.

Disa nga parregullsitë e raportuara:

Në qendrën e votimit 0803 C në vendvotimin 01R në shkollën “Emin Duraku” në komunën e Klinës dy persona pasi kanë votuar kanë treguar publikisht fletëvotimin para të gjithë të pranishmëve. Një rast i njëjtë është edhe në qendrën e votimit 0810 C në vendvotimin 01R në shkollën fillore “Dëshmorët”, komuna e Klinës, një person pasi ka votuar publikisht ka shpalos votën dhe ka treguar se për kë ka votuar.

Në qendrën e votimit 1802X në vendvotimin 03R në shkollën “Naim Frashëri” në komunën e Podujevës, në këtë vendvotim janë të pranishëm 6 vëzhgues të partisë LDK. Të njëjtit qëndrojnë brenda në vendvotim.

Në qendrën e votimit 1111 B në vendvotimin 04D në shkollën “Bedri Gjira” në komunën e Mitrovicës, kryesuesi i vendvotimit ka fotografuar derisa një person ka qenë duke votuar.

Në qendrën e votimit 1906 E në vendvotimin 08R në Fakultetin Filologjik në komunën e Prishtinës, një person përkundër që e ka pas gjurmë të lëngut spërkatës në gishtërinj i është lejuar që të votoj. Për këtë është njoftuar edhe KQZ-ja para se të votoj, megjithatë është lejuar votimi.

Në komunën e Gjakovës nga terreni është raportuar që disa herë ka pasur votime me asistencë, ndërsa asistimi nuk është bërë sipas rregullave që parashihen me ligj. Në ato vendvotime personi ka votuar për veten e tij dhe për personin që ka asistuar.

Në përgjithësi në lokalitetet me shumicë serbe, banorëve të komunitetit serb po u bëhet thirrje për të mos dal për të votuar. Raste të tilla janë raportuar në komunën e Vushtrrisë përkatësisht në fshatrat Grac dhe Banjskë dhe në komunën e Obliqit.