Dogana dhe ATK-ja për dhjetë vjet grumbulluan 12.55 miliardë euro

Postuar: 13:34 / 21.02.2018

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), janë mbushësit kryesorë të Buxhetit të Kosovës. Për një dekadë të shtetësisë, këto dy institucione kanë vazhduar të janë kontribuuesit kyç të në grumbullimin e parasë publike.

Dogana e Kosovës, për dhjetë vite që nga shpallja e Pavarësisë, ka mbledhur 8.45 miliardë euro dhe përbënë rreth 70 për qind e mjeteve të grumbulluara. Kurse Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), për dhjetë vjet të shtetësisë ka grumbulluar për arkën e shtetit 4.1 miliardë euro.

Në total të dyja këto institucione kanë mbledhur 12.55 miliardë euro.Nga viti në vit, trendi i mbledhjes së të hyrave nga Dogana ka pasur rritje. Në vitin 2016 për herë të parë ky institucion kaloi shifrën prej një miliard eurove, ku grumbulloi 1 miliard e 52 milionë euro.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovë, dërguar Telegrafit, në vitin 2008 janë grumbulluar 604.8 milionë euro, ndërsa në fund të vitit 2017, kjo vlerë arriti në 1 miliard e 121 milionë euro. “Në vitin 2009 Dogana mblodhi 635.08 milionë euro, 700.03 milionë euro u grumbulluan me 2010-në dhe në vitin 2011 janë mbledhur 827.1 milionë euro. Nga viti 2012 deri në fund të 2017-së nga ky institucion janë mbledhur 5.68 miliardë euro”, tha zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci për Telegrafin.

Nga viti 2008 e deri në janarin e vitit 2018, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka mbledhur 4.1 miliardë euro, ku nga tatimet janë grumbulluar 2.92 miliardë euro dhe 1.18 miliardë nga kontributet pensionale.