Bora bllokon fshatrat, thyejnë gjymtyrët shumë qytetarë

DragashPostuar: 12:44 / 10.01.2017

Në ditët me të reshura bore janë shkaktuar 248 aksidente të trafikut. Raportohet edhe për një numër të rritur të qytetarëve të cilët si rezultat i të reshurave të borës kanë pësuar lëndime duke rrëshqitur në trotuare. Në komunën e Dragashit deri të hënën fshati Zipotok ka qenë i bllokuar, shkruan sot, gazeta Zeri.

Për katër ditë rresht sa kanë zgjatur reshjet e borës fshati Zipotok i komunës së Dragashit ka mbetur i bllokuar. Banorët vetën në këmbë kanë mundur të vijnë në Dragash pasi bora ka mbuluar në tërësi rrugën që çon në fshat kurse autoritetet komunale nuk kanë arritur ta hapin atë.

Selim Jonuzi, kryetar i komunës së Dragashit, të hënën ka thënë se do ta hapin rrugën që çon në këtë fshat. Por, ai ka konfirmuar se reshjet kanë qenë aq të mëdha saqë nuk kanë arritur të zhbllokojnë fshatin nga bora.

“Në disa vende ka borë në sasi të madhe. Ka pasur reshje shumë të mëdha.

Në fshatrat tjera rrugët janë të kalueshme. Leshtani ka vështirësi por rruga edhe atje është e kalueshme”, ka thënë kryetari i Dragashit.

Edhe në fshatrat e Shalës së Bajgorës ka pasur vështirësi në qarkullim. Megjithatë, komuna që drejtohet nga Agim Bahtiri ka arritur të zhbllokojë rrugët. “Nuk ka fshat që nuk është i zhbllokuar. Kemi punuar 24 orë dhe kam qëndruar vetë në mbikëqyrje dhe çdo fshat është i zhbllokuar”, ka thënë Bahtiri, kryetar i komunës./Zeri/