Edhe pak ditë përfundon votimi për Dragashin, KQZ-ja pranon 262 pako me fletëvotime të supozuara

DragashPostuar: 12:29 / 09.12.2021

Të hënën, më 13 dhjetor, pritet të përfundojë përsëritja e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, i cili ka filluar para 11 ditësh.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Ekonomia Online se deri më tani ky institucion ka pranuar më shumë se 260 pako të supozuara me fletëvotime.

“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri më tani, KQZ ka pranuar 262 pako të supozuara me fletëvotime”.

“Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1 090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik-18 gusht”, tha Elezi.

Zgjedhjet për Kryetarin e Komunës së Dragashit janë të vetmet që nuk janë përmbyllur akoma, pasi Gjykata Supreme vendosi përsëritjen e votimit jashtë Kosovës për votuesit e kësaj komune.

Më herët, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet për Kryetarë të 37 Komunave dhe rezultatet për 38 Kuvende Komunale. Shumë nga Kuvendet Komunale kanë mbajtur seancat inauguruse dhe shumë prej Kryetarëve të Komunave kanë marrë detyrën.