Nënkryetari i komuniteteve zgjidhet jashtëligjshëm

DragashPostuar: 12:09 / 23.01.2018

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit të Komunës së Dragashit për zgjedhjen e nënkryetarit të Komunës për komunitete është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Niveli qendror ka bërë të ditur se në rastin e Dragashit, nënkryetari i Komunës për komunitete duhet të jetë nga radhët e komunitetit goran, si komuniteti më i madh joshumicë në këtë komunë.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Komunës së Dragashit kanë theksuar se nënkryetari për komunitete është zgjedhur nga radhët e partisë së komunitetit joshumicë, që ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit lokale, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë, vetë nënkryetari për komunitete, që vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, Sherif Aga, ka bërë të ditur se ai ka marrë mbështetjen e këshilltarëve të KK-së në dy raunde të votimit, përkatësisht si nga këshilltarët e komuniteteve joshumicë, ashtu edhe nga këshilltarët e komunitetit shumicë, duke krijuar një situatë pozitive në Dragash.