Promovohet punësimi dhe ndërmarrësia në komunën e Dragashit

DragashPostuar: 17:02 / 14.09.2017

Në kuadër të projektit INTERDEV 2, të financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Komuna e Dragashit dhe UNDP lansuan sot Paktin Territorial të Punësimit. Me këtë rast u formalizua edhe kontributi financiar i komunës në këtë Pakt.

Paktet Territoriale të Punësimit (PTP) që janë implementuar përmes projektit INTERDEV 1 që nga viti 2014, janë treguar të suksesshme në komunat partnere, duke përmirësuar gjenerimin e të të ardhurave dhe krijimin e vendeve të punës në nivel lokal, duke përmirësuar udhëheqjen komunale, reagimin ndaj nevojave të komuniteteve të tyre dhe bashkëpunim me sektorin privat dhe shoqërinë civile, transmeton InfoKomuna.

Marrëveshjen e nënshkruan kryetari i komunës së Dragashit, z. Salim Jenuzi, shefi i administratës/këshilltari i sektorit privat në ambasadën austriake në Prishtinë, z. Arsim Aziri dhe asistent përfaqësuesja e përhershme/kordinatorja e Programit, znj. Valbona Bogujevci.
 
Gjatë dy viteve e gjysmë të ardhshme, PTP në Dragash do të ndihmojë mbi 200 banorë të kësaj komune me shërbime për aftësim, gjetjen e vendeve të punës, ose rritjen e prodhimit bujqësor dhe gjenerimit të shtuar të të ardhurave financiare për familjet e tyre.
 
Në Dragash, PTP do të stimulojë prodhimin bujqësor të mjedrës, qumështit dhe kultivimin e lopëve, do të krijojë vende pune për rininë në profesione të kërkuara nga tregu, do të promovojë turizmin dhe infrastrukturën turistike, do të zgjerojë sipërmarrësinë sociale për të rritur integrimin e banorëve të cenueshëm në punësim si dhe do të promovojë prodhimin organik./InfoKomuna/