Dragashi bëhet me deponi të mbetjeve inerte

DragashPostuar: 12:48 / 27.08.2018

Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Dragashit kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për ndërtimin e deponisë së mbetjeve inerte, pak ditë para fillimit të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”.

Në një konferencë për media, ushtruesi i detyrës së ministrit, Fatmir Matoshi, tha se marrëveshja e sotme do të ndikojë në përmirësimin e ambientit në Dragash, gjersa u shpreh i bindur që kjo komunë do të angazhohet fuqishëm në aksionin e 15 shtatorit, raporton Ekonomia Online. “Është kënaqësi që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pret një kryetar të komunës, ku gjysma e së cilës i përket Parkut Nacional dhe kjo na motivon më tutje që Ministria e Mjedisit me komuna të tilla të jetë prezente me projekte, ashtu siç sot vendosem të jemi prezent atje duke mbështetur ndërtimin e deponisë së mbetjeve inerte në Komunën e Dragashit ”, tha Matoshi. “Ne u dakorduam që komuna e Dragashit të jetë fuqishëm e angazhuar të jetë pjesë e këtij aksioni, Dragashi është komunë e bukur dhe pas këtij aksioni do ta bëjmë edhe me të bukur do të ndikojë në përmirësimin e kushteve për të rregulluar mbetjet inerte në komunën e Dragashit”, tha ai.

Matoshi beson që kryetari i Komunës së Dragashit do të zbatojë në përpikmëri dhe do ta përfundojë me kohë projektin.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, tha se ky investim krijon kushte më të mira brenda deponisë dhe menaxhimit të mbeturinave. “Nevojat janë të përhershme në çdo komune dhe për këtë komuna jonë është më të veçanta, sepse ne pretendojmë të jemi miq me vendet turistike”, tha Shabani. “Kemi parkun nacional dhe kemi vizion bashkë me ministrinë që kemi pas mbështetje, prandaj këto investime që janë me deponi dhe që janë projektet tjera në vazhdimësi, besoj që do t’i realizojmë prioritetin tonë, të kemi një komunë pa mbeturina”, tha Shabani, raporton Ekonomia Online.