"EC Ma Ndryshe" gjen mangësi në dëgjimet për buxhetin e Prizrenit për vitin 2018

PrizrenPostuar: 10:20 / 13.09.2017

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, pas monitorimit të dëgjimeve publike për hartimin e buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2018, ka vlerësuar se këto takime janë organizuar sa për të përmbushur një kriter ligjor dhe jo për hir të përfshirjes së mirëfilltë të qytetarëve në planifikimin buxhetor dhe vendimmarrje.

Përfaqësues të kësaj organizate, kanë pohuar se kërkesat bazike që janë adresuar nga qytetarët e Komunës së Prizrenit në kuadër të këtij procesi janë shqetësime që moti është dashur të zgjidheshin nga Administrata komunale, po të ishin krijuar mekanizmat e duhur nga pushteti lokal për të vepruar bazuar në propozimet dhe shqetësimet e qytetarëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mirëpo këto konstatime janë kundërshtuar nga zyrtarët e Komunës së Prizrenit, të cilët kanë theksuar se kanë zbatuar praktika të mira për përfshirjen e qytetarëve në procesin e planifikimit të buxhetit.

“EC Ma Ndryshe” ka bërë të ditur se gjatë muajit gusht ka monitoruar 17 dëgjime publike me qytetarët në lokalitete të ndryshme në qytet dhe fshatra, si dhe debatin në Kuvendin e Komunës lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Në 17 dëgjimet publike të Komunës së Prizrenit pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e ulët. Pjesëmarrja e komunitetit të grave, e të rinjve dhe të moshuarve ka qenë edhe më e ulët, derisa personat me aftësi të kufizuara pothuajse në asnjë takim nuk kanë qenë prezentë.