Elezaj inspekton rregullimin e rrugëve në disa fshatra të Klinës

KlinëPostuar: 10:36 / 11.04.2018

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga nënkryetari i kësaj komune, Besim Hoti dhe drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Ibër Elezaj, vizituan fshatrat Grabanicë, Bokshiq, Dollovë, Këpuz. Qëllimi i kësaj vizite ishte që t’i përcjellin nga afër punimet në rregullimin e rrugëve lokale me zhavor të këtyre fshatrave.

Elezaj ka biseduar me banorët e këtyre fshatrave , ku ka dëgjuar shqetësimet dhe preokupimet e tyre, me të cilat përballet ai komunitet në ato lokalitete të kësaj komune. Fillimisht vizituan fshatin Grabanicë, fshat i cili përpos rrugës së paasfaltuar në gjatësi prej 715 metra, mungon edhe një pjesë e kanalit të ujitjes, në gjatësi prej 200 metra.

Vizita ka vazhduar në fshatin Bokshiq, në lagjen e Muhaxhirëve dhe lagjen Gryka, me ç ‘rast është duke u punuar shtrimi i rrugës me zhavor me gjatësi prej 2.200 metra, që lidhet me fshatin Dugajevë.

Është biseduar me banoret e kësaj zone, të cilët kanë kërkuar edhe rregullimin e kanalizimit dhe asfaltimin e rrugëve.

Po të njëjtën kërkesë e kanë edhe banoret e fshatit Dollovë dhe Këpuz, të cilëve ju është premtuar asfaltimi i rrugë si dhe rregullimi i kanalizimit me gjatësi prej 4.8 km.

Pushteti aktual është i përkushtuar që të angazhohet në ngritjen e mirëqenies, përkatësisht në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të kësaj komune. /InfoKomuna/