Ferizaj, inspektorët pezullojnë punimet vetëm në një objekt banesor

FerizajPostuar: 10:30 / 12.01.2018

Dy ditë pas kërkesave të këshilltarëve të KK-së nga radhët e PDK-së e VV-së për hetim të lejeve ndërtimore në Ferizaj, për të cilat ka raportuar KD-ja, Drejtoria e Urbanizmit e Ferizajt ka nisur pezullimin e lejeve ndërtimore, të cilat nuk i plotësojnë kriteret për objekte banesore.

Nëpërmjet një urdhërese dërguar inspektorëve të Komunës, Urbanizmi ka kërkuar që fillimisht t’i pezullojë punimet në një objekt banesor afër shkollës fillore “Gjon Serreçi”, deri në rishqyrtimin e lejes ndërtimore.

“Pezullohet përkohësisht vazhdimi i punimeve në objektin me numër të lejes ndërtimore 04-351/02-0126828/17, deri në rishqyrtimin e lejes ndërtimore. Obligohen inspektorët e ndërtimit që të përcjellin pezullimin e punimeve tek investitorit dhe t’i marrin të gjitha masat sipas procedurave të parapara në Ligjin për inspektim”, thuhet në urdhëresën e Drejtorisë së Urbanizmit, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo urdhëresë është bazuar sipas Ligjit të ndërtimit me nr. 04/L-110, Udhëzimit administrativ me nr. 05/2017, neni 44 dhe neni 45 të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, nr. 05/L-031 të 21.06.2016. “Më 10.01.2018, urdhërohen inspektorët komunalë që t’i pezullojnë punimet në këtë vend-ndërtim, deri në rishqyrtimin e vendimit”, thuhet midis të tjerash në këtë urdhëresë.