Aliu: Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Ferizaj shkon në 14

FerizajPostuar: 22:51 / 14.05.2020

Në Komunën e Ferizajt sonte janë paraqitur nëntë raste të reja me coronavirus.

Kryetari Agim Aliu thotë se rastet e ditës së sotme janë raste kontakti të një personi që ka rezultuar i infektuar para dy ditëve.

Aliu thotë se shqetësuese është që personit në fjalë nuk i dihet burimi i infeksionit.

“Kjo nënkupton se tashmë në Ferizaj kemi një burim të ri infeksioni pas qetësisë që ishte për shumë ditë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Ferizajt thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes pasi virusi është ende në mesin tonë.

“Të paktën ta respektojnë distancën sociale dhe të mos grumbullohen në familje. Edhe rastet e reja rrjedhin pasi familjet e dy vëllezërve janë grumbulluar në një shtëpi”.

Aliu thotë se nga 109 rastet e përgjithshme në Ferizaj 14 prej tyre tashmë janë aktive.