Askush në Ferizaj nuk po i do afër varrezat

FerizajPostuar: 12:37 / 19.05.2018

Dhjetëra banorë të Fshatit të Vjetër të komunës së Ferizajt kanë protestuar para komunës, duke e kundërshtuar propozim-vendimin e komunës për ridestinimin e parcelës së varrezave të qytetit nga fshati Balaj në fshatin e Vjetër.

Rreth kësaj çështjeje, banorët e Fshatit të Vjetër kanë mbledhur edhe mbi 400 nënshkrime për ta kundërshtuar vendosjen e varrezave të qytetit në këtë parcelë nr. 498-1 me arsyetim se shtëpitë e banimit janë mjaft afër tyre, raporton KTV.

Sipas banorëve, parcela nuk i plotëson kushtet për varreza, për shkak se hapësira është e vogël. Sipas tyre, vendimi për varreza në Balaj, me sipërfaqe prej afro 18 hektarësh, duhet të mbetet në fuqi.

Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit në Ferizaj, insiston se varrezat duhet të bëhen në Fshatin e Vjetër për shkak të afërsisë me qytetin dhe kostos së lirë të rivitalizimit të hapësirës.

Derisa banorët kanë tentuar edhe të hyn brenda objektit, kuvendi komunal ka miratuar propozimin e kabinetit qeveritar dhe varrezat do të jenë në fshatin e vjetër.