“Avonet”: Komuna e Ferizajt kontrakton operatorin me performancë të dobët

FerizajPostuar: 12:48 / 30.01.2019

Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka kritikuar ekzekutivin e komunës me arsyetim se gjatë periudhës së fundit kohore po kontraktojnë operatorë ekonomikë për projekte madhore pa e shikuar përformancën e tyre dhe pa ia shikuar kapacitetet profesionale.

Rreth kësaj çështjeje OJQ “Avonet” nëpërmjet një reagimi ka konstatuar se projekti 4 milionësh i ashtuquajtur “Bashkimi i Qytetit” po ndërtohej nga dy kompani, të cilat nuk kanë treguar performancë të mirë të punës në të kaluarën.

“Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” në konsultim me njohës të mirë të fushës së ndërtimit dhe zhvillimit të proceseve, që kanë të bëjnë me tenderim, konsiderojmë se projekti i cili është duke u realizuar për ta bashkuar qytetin është i nevojës shumë të veçantë, sepse është një projekt që ka një karakter të një zhvillimi dhe krijimin e një imazhi të qytetit për t’i bërë gjërat më atraktive për qytetarët.

Mirëpo, për këtë projekt janë të kontraktuara dy kompani që sipas hulumtimeve tona nuk kanë treguar performancë të mirë në projektet e kaluara, e shpeshherë kanë marrë vërejtje nga ne si OJQ dhe nga institucionet që nuk i kanë kryer punët për të cilat ishin të kontraktuara nga komuna”, ka thënë nëpërmjet një reagimi, Kenan Gashi, drejtor në OJQ “Avonet”.