Brenda tre muajsh në Ferizaj, 43 raste të dhunës familjare

FerizajPostuar: 10:20 / 18.04.2018

Rastet e dhunës në familje në Komunën e Ferizajt në kohë të fundit kanë shënuar rritje. Gjatë vitit 2017 në këtë komunë janë shënuar 136 raste të dhunës në familje, ndërkaq gjatë kësaj periudhe të vitit 2018 janë shënuar 43 të tilla.

Një pjesë e këtyre rasteve tashmë kanë marrë edhe formën e prerë përfundimtare nga Gjykata Themelore e Ferizajt. Përveç gjobave janë shqiptuar edhe dënime me burgim deri në 3 muaj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas ligjeve në fuqi dhunë në familje konsiderohet çdo shkelje e së drejtës së gruas, burrit dhe fëmijëve nga persona që janë pjesëtarë të familjes.

Ndërkohë, rasti i fundit i dhunës në familje ka ndodhur në fshatin Varosh të Ferizajt më 14 prill të 2018-s, derisa një i moshuar e ka sulmuar me sëpatë bashkëshorten e tij, ndaj ky rast ka alarmuar gjithë shoqërinë.