Ferizaj diskuton strategjinë komunale për personat më aftësi të kufizuara

FerizajPostuar: 12:00 / 10.12.2018

Këtë të hënë është mbajtur diskutim publik për strategjinë komunale për personat më aftësi të kufizuara dhe planin e veprimit. Hapjen e këtij diskutimi e bëri Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi me ç’rast, këtë strategji e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme.

“Një strategji shumë e rëndësishme për këtë kategori, por edhe qytetarët e komunës sonë. Procedurat nëpër të cilat ka kaluar kjo strategji ka qenë edhe pikë e rendit të ditës në seancën e fundit, ku është aprovuar nga anëtarët e Kuvendit që të diskutohet në këtë diskutim publik, të kaloj në komisionin e akteve juridike, që në rast se është e nevojshme edhe të plotësohet në aspektet ligjore, pastaj të miratohet në Kuvend gjatë këtij muaji”, tha Gashi-Bytyci.

Ndërsa menaxherja e ”Handikos” Xhemile Murseli, ka thënë se ky dokument është në kuadër të proceseve të “Handikosit”, në përpjekje të asaj që të realizohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Mendoj se kjo strategji do të përcaktoj një vizion se si komuna e sheh deri pas 5 viteve fushën e aftësisë së kufizuar, në bazë të këtij dokumenti aftësia e kufizuar do të trajtohet në të gjitha fushat si arsim, shëndetësi, e të tjera. Po ashtu, në nivel lokal ajo do të lehtësoj zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi", u shpreh Murseli.

Në këtë diskutim publik pati edhe diskutime të ndryshme të cilat u tha se do të inkorporohen në strategjinë komunale për personat më aftësi të kufizuara.

Strategjia komunale për personat më aftësi të kufizuara dhe plani i veprimit pritet të miratohen ne mbledhjen e Kuvendit të Komunës gjatë këtij muaji. /InfoKomuna/