Ferizaj dhe "TIKA" nënshkruajnë marrëveshje, priten investime në bujqësi

FerizajPostuar: 15:49 / 11.04.2019

Ferizaj, ka krijuar klimë të favorshme për investimet e huaja si dhe donacionet e ndryshme nga organizata ndërkombëtare. I tillë ishte edhe takimi i sotëm i të parit të Ferizajt, Agim Aliu me drejtues të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim “TIKA”, me ç ‘rast u nënshkrua marrëveshja e bashkëfinancimit në fushën e bujqësisë.

Donatorët turq zhvilluan një takim me të parin e Ferizajt, Agim Aliu ku u njoftuan nga ky i fundit për politikat e ndërmarra deri më tani nga qeverisja lokale në dobi të rritjes ekonomike, përkatësisht zhvillimit të bujqësisë.

Pjesë kyçe e takimit të sotëm ishte marrëveshja e bashkëfinancimit, përfituese e së cilës është Komuna e Ferizajt, ku parashihet që të investohet një shumë prej 40,000€ në mekanizmin bujqësor, përkatësisht pajisjet dhe veglat e nevojshme që do të shpërndahen tek dhjetëra bujq ferizajas.

Projektet e tilla si ky i sotëm, i pari i Ferizajt, Agim Aliu i quajti politika të qëndrueshme në fushën e bujqësisë dhe mundësi e shtuar për vende të reja pune.

“Sigurisht që ky është rezultat i një bashkëpunimi të natyrshëm në mes dy popujve dhe dy shteteve tona mike... do të mbështesë kryesisht projektet që kanë të bëjnë me prodhimtarinë dhe është një mundësi më shumë që të kemi vende të reja pune...", tha Aliu.

Në anën tjetër, Hasan Burak Ceran, koordinator i Agjencisë Shtetërore “TIKA” tha se synimet e kësaj agjencie janë që të ndihmojë në zhvillimin ekonomik-social, me theks të veçantë rritjen e mundësisë për vende pune.

“Jemi në Ferizaj për të përkrahur fushën e bujqësisë. E rëndësishme për ne është që në Kosovë të bëjmë rritjen e numrit të punëtorëve, prodhimtarinë dhe në këtë aspekt jam shumë i kënaqur që në Ferizaj po bëjmë një hap të tillë. Siç jeni te informuar ne kemi filluar aplikimin për zhvillim rural në Kosovë. Në këtë fazë kemi përfshirë 8 komuna dhe kemi dal me konkurs për të pranuar aplikimet për këto komuna”, tha koordinatori i TIKA-s, Hasan Burak Ceran. /InfoKomuna/