Haradinaj: Ferizaj kontribues i madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës

FerizajPostuar: 16:29 / 23.01.2018

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu priti në takim kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjatë kësaj vizite u diskutua për të gjitha projektet që janë në kapacitet të komunës dhe për obligimet që komuna ka hyrë në të kaluarën, që janë obligime të larta, të pambuluara nga komuna e që kjo gjendje, siç tha kryeministri Haradinaj është edhe në shumë komuna të tjera, njofton InfoKomuna.

“Sot është një gjendje e rëndë në marrëdhëniet komunë-operator që janë të kontraktuara. Janë disa projekte poashtu që do t’ i trajtojmë së bashku dhe do të jemi bartës në shumë projekte. Qeveria duhet ta bëjë një plan, që të ballafaqohet me këtë, t’i merr këto përgjegjësi tani dhe t’i shkarkojë komunat gjatë gjithë viteve që vijnë, të ngarkuara me këtë presion të borxheve”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, në takim është diskutuar edhe për dhënien e pronave të nevojshme që duhet t’i ketë komuna, që janë në interes për publikun, si, ndërtimi i çerdheve, shkollave, tregjeve, të poligoneve sportive dhe të parqeve të biznesit.

Duke diskutuar për gjendjen në arsim, kryeministri Haradinaj tha se pasi që testi PISA po afrohet, duhet parë avancimin e gjendjes në këtë sektor.

Ndërkaq, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, duke falënderuar kryeministrin për vizitën tha se kryeministri Haradinaj është zotuar se do të mbështesë këtë komunë, sepse Ferizaj është një qytet i zhvillimit ekonomik, që kontribuon në ngritjen e buxhetit të shtetit, por edhe në mirëqenien e jetës së qytetarëve në përgjithësi. 

“Folëm për shumë projekte të cilat janë futur dhe të kenë një dinamik krejtësisht të re dhe ndryshe nga më pare por njëkohësisht folëm që dale nga dale të jenë pjese e buxhetit shumë projekte strategjike që kanë të bëjnë me Ferizajn. Ne, po ashtu folëm edhe për vet sfidat e qeverisë lokale, sfida të cilat nuk janë të pakta, për faktin se ne, si kryetar të rinjë të komunave, kemi trashëguar një gjendje jo shumë të mirë financiare, një keq menaxhim, keq planifikim, por edhe me shumë obligime, por sigurisht që pas kësaj kërkesë që ne i bëme kryeministrit, sigurisht se do të studiohen mundësitë që komunat e Republikës së Kosovës, por edhe Ferizaj që është njëra ndër komunat që ka pasur keq menaxhimin më të lartë në nivel të Republikës së Kosovës, të mos kemi më shembuj të tillë, por të kemi një diciplinë të qëndrueshmërisë së projekteve dhe mbi të gjitha kjo është edhe obligim, për faktin se tashmë shumë operatorë ekonomik janë futur në obligime dhe disiplina financiare në radhë të parë do të ishte një ndihmesë ndaj komunitetit të biznesit”, është shprehur kryetari Aliu.

Vizita e sotme e Kryeministrit ka vazhduar me adresimin e këtij të fundit para asamblistëve komunal, qytetarëve si dhe ka përfunduar me vizitë në zyrën qendrore të kompanisë HIB Petrol – taksapaguesit më të madh në Republikën e Kosovës, biznes ky me pronarë ferizajas. /InfoKomuna/