Haradinaj: Qeveria do t’iu qëndrojë afër fermerëve

FerizajPostuar: 15:08 / 24.06.2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot na takim një grup fermerësh nga Komuna e Ferizajt të shoqëruar nga deputeti i kësaj zone në Kuvendin e Kosovës, Labinot Tahiri, me të cilët ka shqyrtuar modalitetet e kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga breshëri në këtë anë.

Haradinaj tha se kërkesat e tyre për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri do të trajtohen në afat optimal.

Ndër tjerash, ai theksoi se Qeveria e vendit do të ndërmarrë hapa konkret në krijimin e një sistemi për kompensimin e dëmeve si një nismë e iniciuar në ekzekutiv vitin e kaluar dhe që nuk është trajtuar asnjëherë më parë.

“Qeveria e vendit duke qenë përherë në mbështetje të fermerëve, do t’i shqyrtojë në afat optimal të gjitha mundësitë e trajtimit të kësaj teme në mënyrë që çështjet e ngritura nga ta të marrin kujdesin e merituar”, tha kryeministri dhe vlerësoi se Qeveria është duke punuar për krijimin e një fondi të përhershëm për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe për aktivizimin e sistemeve mbrojtëse.

Nga ana e tyre, fermerët falënderuan kryeministrin Haradinaj për gatishmërinë që të dëgjojë shqetësimet dhe kërkesat e tyre dhe kërkuan që ato të shqyrtohen sa më parë që është e mundur.