Hetohen 2 mësimdhënës biologjie për shpërdorim detyre

FerizajPostuar: 09:47 / 13.04.2018

Drejtoria e Arsimit e Ferizajt ka nisur hetime ndaj dy mësimdhënësve të biologjisë: Muharrem Beqa dhe Mejdi Musliu, për të cilët dyshohej se në koordinim të ngushtë si shenjë hakmarrjeje në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor kanë mbyllur 31 nota të dobëta për të gjithë nxënësit e klasës së XI-9 në gjimnazin “Kuvendi i Arbrit”.

Nxënësit e kësaj klase në vitin e kaluar nëpërmjet protestave dhe ankesave zyrtare patën kërkuar largimin e mësimdhënësit të biologjisë Mejdi Musliu me arsyetimin se ai kishte përdorur dhunë fizike ndaj tyre.

Ndërkohë drejtoria e shkollës e ka zëvendësuar atë me mësimdhënësin tjetër ( kolegun e tij të ngushtë) Muharrem Beqa, i cili tashmë dyshohet se është hakmarrë ndaj nxënësve, duke i vënë gjithsej 31 nota negative për këtë klasë, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i Arsimit i Ferizajt, Afrim Llabjani, ka thënë se tashmë ka angazhuar stafin e tij profesional për ta hetuar rastin ndaj dy mësimdhënësve të biologjisë: Muharrem Beqa dhe Mejdi Musliu në gjimnazin “Kuvendi i Arbrit”.