Këtë vit 50 raste të dhunës në familje në Ferizaj

FerizajPostuar: 13:00 / 16.05.2018

Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje në komunën e Ferizajt ka mbajtur takimin e parë me qëllim hartimin e politikave dhe realizimin e aktiviteteve për parandalimin e këtij fenomeni negativ mjaft të shprehur në shoqërinë kosovare.

Në këtë takim diskutua për gjendjen me këtë fenomen në Rajonin e Ferizajt si dhe masat që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse në nivel lokal dhe rajonal.

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, njëherit kryesues i këtij mekanizmi u shpreh se Ferizaj po krijon këtë trupë në nivel regjional për të parandaluar një fenomen mjaft të shëmtuar siç është dhuna në familje, fenomen ky që sipas të dhënave nga organet e drejtësisë dhe sigurisë po shënon rritje të vazhdueshme.

"Ne përmes këtij mekanizmi synojmë që të mirë koordinohemi në masat institucionale kundër këtij fenomeni. Pres angazhimin e secilit prej përfaqësuesve të institucioneve në adresimin dhe prioritizimin e këtij fenomeni brenda institucionit ku bën pjesë. Si fazë e parë do të hartojmë një plan pune si dhe agjendën e takimeve dhe aktiviteteve që do të ndërmarrim në mënyrë që kështu të nisim një fushatë të gjerë për vetëdijesimin e qytetarëve kundër këtij fenomeni”, tha nënkryetari Ferati.

Në anën tjetër, prokurorja nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Sebahate Sinani u shpreh se ka raste të shumta në këtë drejtim dhe se Prokuroria Themelore e Ferizajt është shumë efikase në trajtimin e tyre.

“Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2018 kemi pas 28 lëndë, 22 prej të cilave janë përfunduar. Kemi një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe përpjekja jonë e vazhdueshme është ulja e recidivit, gjegjësisht zvogëlimi i numrit të përsëritësve të këtyre veprave përmes aplikimit të masave ligjore të ndalimit”, tha Sinani.

Përfaqësues të Gjykatës Themelore në Ferizaj u shprehën se ka raste të shumta të dhunës në familje, përkatësisht vetëm vitin e kaluar ka pas 98 raste nga Rajoni i Ferizajt dhe afro 50 prej tyre janë vetëm këtë vit. Ka shumë raste që shkaktarët janë përsëritës të këtyre veprave, pra dhunës në familje.

Edhe përfaqësuesit e tjerë të sektorit të kujdesit social u shprehën të shqetësuar me numrin e madh të këtyre rasteve dhe sfidave për të përballuar këtë fenomen përmes strehimores që aktualisht është e licencuar për trajtimin e viktimave të dhunës në familje, në territorin e Ferizajt. Për këtë institucion të pranishmit shprehën rezerva sa i përket mirëfunksionimit, mirëpo me koordinimin më të mirë të këtyre institucioneve në këtë mekanizëm të parandalohet ky fenomen.

Ky takim ishte i pari i këtij lloji i mbajtur nga Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje, takime këto që do të shpeshtohen me miratimin e agjendës së punës dhe aktiviteteve të kësaj trupe. /InfoKomuna/