Konfiskohen 1170 litra lëngje dhe ujë mineral në Ferizaj

FerizajPostuar: 16:57 / 12.10.2018

Inspektorët komunal gjatë aksionit të kësaj jave shënuan edhe një rezultat domethënës në fushën e sigurisë së produkteve që ofrohen në tregun e Ferizajt. Kësaj radhe, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësinë e Trafikut Rrugor, Inspektorati Komunal ndaloi një mjet transportues i cili po bartte nga Prizreni një sasi të konsiderueshme të lëngjeve dhe ujit mineral.

Pas kontrollit policor dhe nga inspektorët komunal u konstatua se për këtë sasi të lëngjeve, nuk u prezantua asnjë dokumentacion relevant, rrjedhimisht sipas procedurave ligjore të legjislacionit në fuqi, saktësisht ligjit për Inspektoratin e Tregut Nr. 03/L-181, kjo ngarkesë u konfiskua dhe është proceduar në organet gjyqësore deri në vendimin përfundimtar të këtyre të fundit.

Kryeinspektori i Ferizajt, Ridvan Berisha shpjegoi se në këtë aksion ishin të përfshirë inspektorët sanitar dhe të tregut dhe se kjo sasi e konfiskuar është sinjal se të gjitha kanalet e komunikimit, qarkullimit të mallrave të dyshimta dhe pa kushtet e dokumentacionin përkatës janë nën monitorimin e vazhdueshëm dhe masat e Inspektoratit Komunal, për faktin edhe të vendosmërisë që ka i pari i qytetit, Agim Aliu në fuqizimin e rolit të këtij mekanizmi në jetën dhe shëndetin publik.

Sasia prej 870 litra lëngjesh dhe 300 litrash ujë mineral të konfiskuara në Ferizaj, nga Inspektorati Komunal do të procedohen sipas parashikimeve ligjore në fuqi deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Komuna e Ferizajt, inkurajon qytetarët që të denoncojnë rastet e tilla si dhe falënderon Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e vazhdueshëm në dobi të mbrojtjes së shëndetit publik. /InfoKomuna/