Kryetari Aliu shpalos punën gjatë 100 ditëve të qeverisjes

FerizajPostuar: 16:46 / 19.04.2018

Ferizaj pas traumës së pësuar nga pushteti i kaluar ka hapur kapitullin e stabilitetit, punës dhe dinamikës së re për punësimin dhe ndryshimin e jetës së qytetarëve.

Kështu ka deklaruar kryetari i kësaj komune, Agim Aliu gjatë prezantimit të 100 ditëshit të qeverisjes së tij.

I pari i Ferizajt ka deklaruar se për këtë periudhë kanë arritur të menaxhojnë krizën financiare me qëllim të parandalimit të fiaskos financiare.
 
Sipas Aliut, me riorganizmin dhe caktimin e koordinatorit të Inspektoratit Komunal kanë arritur që të kenë rezultate konkrete edhe në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Përmes rritjes së kontrollit të produkteve që ofrohen në treguan e Ferizajt me ç’rast për tri javë janë konfiskuar dhe asgjësuar mbi 2 ton mish dhe nën produkte të tij të prishur. Jam zotuar para qytetarëve se shëndeti i tyre do të jetë i garantuar sa i përket kompetencave të komunës sonë dhe këto rezultate janë domethënëse në betejën tonë për ligjshmërinë dhe garantimin e shëndetit të qytetarëve”, tha ai.

Aliu tutje ka shtuar se gjatë këtij 100 ditëshi kanë arritur qe t’i largojnë tezgat nga sheshet e këtij qyteti.

Me qëllim të ofrimit të një jetë më të shëndetshme për qytetarët e Ferizajt, Aliu tha se ka eliminuar mbi 50 depo ilegale, derisa kanë mbjellë rreth 840 drunj dekorativ.

Në fushën e shëndetësisë Aliu tha se kanë realizuar kthimin e kujdestarisë së natës në Qendrën 2 të Mjekësisë Familjare, si dhe në fillim të muajit maj pritet të nisin ndërtimet e spitalit rajonal të Ferizajt.

“Angazhimet tona në fushën e shëndetësisë kanë rezultuar me rikthimin e kujdestarisë së natës në Qendrën 2 të mjekësisë familjare dhe kujdestarinë e natës në stomatologji në Shërbimin Emergjent Primar. Projekti më madhor për shëndetësinë ferizajase në dekadat e fundit është edhe ndërtimi i spitalit të ri rajonal në Ferizaj. Dhe ky tashmë është lajmi më i mirë se në fund të prillit, respektivisht në fillim të majit pas përfundimit të procedurave ne do vëmë gurthemelin e Spitalit Regjional të Ferizajt”, ka thënë ai.

Për urbanizwm Aliu tha se kanë marr mbështetje nga Qeveria e Kosovës për fillimin e projektit të bashkimit të qytetit.

“Në fushën e infrastrukturës është projekti i bashkimit të qytetit, faza e parë, për këtë kemi siguruar edhe mbështetjen e Qeverisë se Republikës së Kosovës pas rishikimit të buxhetit të Republikës se Kosovës respektivisht nga Ministria e Infrastrukturës. Duke e konkretizuar edhe në marrëveshjen e bashkëpunimit dhe financimit që kemi nënshkruar përmes së cikës Ferizaj do të përfitoj një grant prej 20 milionë eurosh për fillimin e realizimit të fazës së parë të bashkimit të qytetit dhe projekteve të tjera infrastrukturore”, u shpreh Aliu.

Sipas Aliut në fushën e arsimit kanë arritur të rrisin transparencën sa i takon konkurseve publike, kështu duke ulur në zero ndikimin e politikës në këto konkurse.

Kurse në sektorin e kulturës dhe sportit Aliu tha se kanë marr mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e Qendrës Sportive në fshatin Greme, si dhe kanë bërë fuqizuar klubet sportive përmes një mbështetje direkte nga komuna.

Me qëllim të përmirësimit të kushteve për bizneset lokale Aliu tha se miratuar ndërtimin e një zonë të lirë ekonomike.