LDK në Ferizaj: Pushteti lavdërohet me projektet e nisura nga ne

FerizajPostuar: 10:52 / 08.01.2019

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, ka kritikuar Ekzekutivin e Komunës me arsyetim se rrugët e asfaltuara gjatë vitit 2018 ishin projekte dyvjeçare të nisura nga ish- qeverisja e LDK-së.

Sipas LDK-së, qeverisja lokale në këtë komunë për konsum politik po mundohet t’i marrë meritat për asfaltimin e dhjetëra rrugëve nëpër vendbanime, shkruan Koha Ditore.

Balton Dërgiti, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, ka thënë se shumica e rrugëve të asfaltuara gjatë vitit 2018 janë projekte të buxhetuara dhe të nisura nga ish-qeverisja e kaluar, andaj ka sugjeruar Ekzekutivin e Komunës “të mos manipulojë me statistika”.

“Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt ka publikuar disa statistika se janë asfaltuar 40 kilometra rrugë, në anën tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, pati thënë se 90 për qind e buxhetit të Komunës ishte borxh i trashëguar nga qeverisja e kaluar. Dilema tashti është se si u asfaltuan 40 kilometra rrugë dhe ku u morën mjetet nëse 90 për qind e buxhetit paskan qenë borxhe. Prandaj, qytetarët e dinë se këto 40 kilometra rrugë të asfaltuara janë projekte të buxhetuara dhe të nisura nga qeverisja e kaluar dhe të cilat kanë vazhduar gjatë vitit 2018”, ka thënë Dërguti.