Në Ferizaj keqklasifikohen shpenzimet në vlerë prej afro gjysmë milioni euro

FerizajPostuar: 13:17 / 23.05.2018

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka publikuar raportin dhe pasqyrat financiare të Komunës së Ferizajt për vitin 2017 në të cilin janë pasqyruar një varg shkeljesh dhe gjetje të kësaj komune.

Pasqyrat financiare vjetore paraqesin keqklasifikimin e shpenzimeve të parasë publike në vlerë 434.732 euro, të cilat për nga natyra u takonin mallrave dhe shërbimeve, andaj ishin paguar dhe raportuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale.

Theksimi i çështjes së pagesave për investime kapitale të bëra përmes vendimeve të gjykatave apo përmbaruesve në vlerë 690.292 euro nuk janë regjistruar në regjistrin e pasurive, shkruan Koha Ditore. Në ketë regjistër nuk ishin përfshirë edhe banesat në pronësi të komunës, të cilat janë dhënë me qira.

Gjithashtu në raportin e auditorit të përgjithshëm qartësohej se llogaritë e arkëtuara për lejet e ndërtimit në vlerë 446.279 euro nuk janë shpalosur saktë në pasqyrat financiare.