Nis asfaltimi i unazës së jashtme të qytetit të Ferizajt

FerizajPostuar: 15:25 / 15.10.2018

Ka filluar asfaltimi i unazës së jashtme të qytetit të Ferizajt, projekt ky i Komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Nga afër asfaltimin e kësaj rruge e ka përcjellë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, drejtorin e Pronës, Sabri Murseli, drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani si dhe bashkëpunëtore të tjerë.

Me këtë rast, drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, këtë projekt e ka cilësuar si të një rëndësie tejet të madhe me vet faktin që lidh shumë fshatra të kësaj ane.

“Sot po asfaltohet me shtresën e parë të asfaltit segmenti nga fshatin Neredime deri në hyrje të fshatit Dremjak. Gjithsesi në kuadër të këtij projekti nëse na premtojnë kushtet atmosferike do të vazhdojmë edhe në fshatin Manastirc, por edhe me një pjesë tjetër të fshatit Dremjak. Kjo është në kuadër të projekteve që ne kemi zgjedhur përfundimin e këtij segmenti deri në fazën e fundit në asfaltimin e shtresës së parë”, ka thënë drejtori Bytyqi.

U tha se kjo rrugë ka një gjatësi prej 31 kilometra dhe me një kosto rreth 3 milionë euro. /InfoKomuna/