Opozita në Ferizaj kritikon kryetarin për mospërmbushje të premtimeve zgjedhore

FerizajPostuar: 10:18 / 12.03.2020

Instituti për Studime të Avancuara GAP, nëpërmjet raportit të monitorimit të komunave, ka publikuar edhe premtimet e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të cilat i ka bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas GAP-it, kryetari Aliu ka premtuar gjithsejtë 38 projekte kapitale për katër vjet të mandatit të tij, ndërkohë deri tashti ka përfunduar vetëm 14 prej tyre, ndërkaq 6 projekte janë në finalizim e sipër apo gjysmë të përmbushura, 14 të filluara dhe 4 projekte vazhdojnë të mbesin në letër të pa filluara fare.

Ky raport, sipas opozitës, tregon më së miri për një qeverisje të keqe të kryetarit Aliu.

Muharrem Svarqa, kryetar i LDK-së, Dega në Ferizaj, njëherësh shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt, ka thënë se çerdhet publike të cilat komuna i ka futur si të arritura, patën filluar nga ish-qeverisja e kaluar e LDK-së, po ashtu edhe disa projekte të tjera janë përvetësuar në këtë mënyrë.

“Dy çerdhe që kanë nisur të ndërtohen nga ish-qeverisja, ekzekutivi i komunës i ka përvetësuar si të arritura të saj. Po ashtu kryetari Aliu nuk i ka emëruar 3 drejtoresha gjatë këtij mandati sepse njëra prej tyre është kryesuese e Kuvendit dhe nuk mund të llogaritet si premtim i arritur. Përkrahja e agrobizneseve përmes kompensimit të kamatave është vetëm vazhdim i projektit të ish-qeverisjes së LDK-së, andaj nuk mund të atribuohet si premtim i përmbushur nga kryetari Aliu. Po ashtu janë zmadhuar edhe shifra dhe statistika në sektorin e bujqësisë sepse Komuna e Ferizajt nuk i ka të mbjella 30 hektarë me arra. Këto improvizime e dëshmojnë më së miri një qeverisje të keqe”, ka thënë Svarqa, raporton KOHA.

Sipas tij, edhe disa premtime të cilat i ka evidentuar GAP-i si premtime të realizuara të Aliut, nuk janë realizuar fare, andaj, thotë Svarqa, një përvetësim i tillë i qeverisjes Aliu është i papranueshëm.

“Po ashtu shumica e fushave sportive kanë nisur të ndërtohen nga ish-qeverisja e LDK-së, prandaj kjo qeverisje nuk mund t’i llogaris ato si projekte të saj dhe mandej të evidentohen si premtime të kryetarit Aliu. Po ashtu edhe te tatimi në pronë, kjo qeverisje nëpërmjet Kuvendit ka marrë vendime të jashtëligjshme sepse ka zvogëluar kategorinë e tokës sepse tatimi në pronë nuk mund të zbritet pasi që kjo është e rregulluar me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Svarqa.

Nehat Mustafa, këshilltar i pavarur në KK të Ferizajt, nëpërmjet një reagimi rreth kësaj çështjeje, ka thënë se më shumë se numri i realizimeve të premtimeve duhet shikuar dhe vlerësuar cilësia e realizimit të këtyre premtimeve. Sipas tij, nëse gjatë kësaj periudhe të mandatit janë realizuar vetëm 14 prej 38 premtimeve, i bie më pak se 40 për qind.

“Pra, kur këto premtime kanë mundur të realizohen pa presionin e kohës, imagjinoni se si do të jetë cilësia e realizimit të projekteve tjera për periudhën e shkurtër që ka mbetur e kur ky pushtet do të ‘luftojë’ për realizimin e numrave. Këto dy vjet qeverisjeje më shumë janë karakterizuar me keqmenaxhim e keqpërdorim të parasë publike, sesa me veprime konkrete për të bërë dallimin me ish-qeverisjen”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, raporti i auditimit për vitin 2018 dhe 2019 janë treguesit më të mirë të dështimit dhe keqpërdorimeve në shkallën më të lartë në këtë komunë. “Dhe duhet ta themi se kjo është edhe me fajin e disa këshilltarëve komunalë nga pozita e ‘opozita’ të cilët kanë miratuar apo kanë përkrahur me mosveprim këtë keqqeverisje në shkëmbim të favoreve, veçanërisht të punësimeve personale apo familjare. Tani po hyjmë në fazën kur qeverisja lokale është e paaftë për të kryer obligimet dhe premtimet e dhëna, do të mundohet të krijojë situata artificiale për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve siç ishte rasti me vendimin për të pushuar bizneset ditëve të diela”, është shprehur Mustafa.

Ai thotë se Komuna, vendimin e fundit për të pushuar bizneset ditëve të diela, e bëri kinse në emër të mbrojtjes së punëtorëve, por se sipas tij, po të lexohet rregullorja, shihet se ky vendim nuk prek shumë kategori biznesi që kanë mijëra punëtorë e të cilët duhet të punojnë të dielave.

“Vet miratimi i kësaj rregulloreje me vetëm 17 vota pro nga 41 sa ka Kuvendi i Komunës, është turp në vete. Aq më tepër kur dihet presioni dhe joshja që iu është bërë disa këshilltarëve dhe prapë nuk u arrit më shumë se kjo shifër e turpshme prej vetëm 17 votave pro. Një nga premtimet ka qenë edhe ndërprerja apo zvogëlimi i kontratave në vepër, por kjo jo vetëm që nuk është bërë, por edhe është tejkaluar”, ka theksuar Mustafa.
VitiKomente: 0 Mbahet mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal të Vitisë 16:49 / 28.03.2024 Mbledhja e tretë e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë është mbajtur sot, me që rast në fillim të kësaj mbledhje, kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi i njoftoj anëtarët rreth vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të miratuara në mbledhjet e kaluara të...