Pavarësisht reshjeve të borës, rrugët në Ferizaj janë të kalueshme

FerizajPostuar: 10:51 / 10.01.2019

Përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës, të gjitha rrugët në Komunën e Ferizajt, janë të kalueshme, por në disa vende mund të ketë edhe vështirësi.

Këtu përfshihen edhe rrugët e fshatrave ku nga afër pastrimin e borës e kanë inspektuar edhe zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës. Ismajl Mehmeti, zyrtar i kësaj drejtorie është shprehur se mirëmbajtja e rrugëve gjatë këtij viti është në nivelin e kënaqshëm, përcjell InfoKomuna.
“Raportimet nga terreni paraqesin gjendje të kalueshme në të gjitha rrugët lokale dhe ato që lidhin fshatrat me qytetin, ndërkohë një gjendje më e rënduar evidentohet në zonën malore të Jezercit dhe Burrnikut, ku niveli i lartë i reshjeve të borës ka bërë të vështirë ndërhyrjen e ekipeve tona, ndonëse është bërë edhe ky intervenim”, është shprehur Mehmeti.

U tha po ashtu se Komuna e Ferizajt së bashku me operatorët ekonomik janë në gatishmëri të plotë në mënyrë që të mos ketë ndonjë fatkeqësi eventuale. Me këtë rast apelohet për kujdes të shtuar nga vozitësit si dhe shmangie të qarkullimit përreth zonave malore.

Komuna e Ferizajt ka ngritur dhe mobilizuar gjithë infrastrukturën e nevojshme në funksion të mirëmbajtjes dimërore të akseve rrugore, për të shmangur bllokimin e zonave të caktuara si dhe evituar fatkeqësitë njerëzore.

Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, janë duke punuar me orare të shtuar edhe gjatë natës vetëm e vetëm që të kemi rrugët e pastruara nga bora.  /InfoKomuna/