Projekte milionëshe për Ferizajn në fushën e mjedisit

FerizajPostuar: 16:30 / 27.06.2019

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka vizituar komunën e Ferizaj, ku është takuar me kreun e kësaj komune, Agim Aliu.

Gjatë vizitës, ministri Matoshi ka konfirmuar mbështetjen në projekte të ndryshme mjedisore dhe vepra të rëndësisë së veçantë strategjike për mjedisin në territorin e Ferizajt, shkruan InfoKomuna.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu njoftoi ministrin Matoshi për hapat e ndërmarrë në infrastrukturën mjedisore si dhe projeksioneve për të ardhmen, duke vënë theksin tek projekti i rregullimit të shtratit të lumit Sazli, funksionalizimi i Bifurkacionit të lumit Neredime si dhe ndërtimi i Parkut Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne shumë shpejt do të nënshkruajmë me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit memorandumet për nisjen e procedurave dhe lehtësimin e realizimit të tri projekteve të cilat janë pjesë e kodeve buxhetore në kuadër të buxhetit të Republikës së Kosovës, që ato të fillojnë në implementim. Tashmë për qytetarët e Ferizajt janë të njohura këto projekte që do të shohin realizmin si projekte. Është fjala për rregullimin e shtratit të lumit Sazli deri në derdhjen e njërës nga degët e lumit Nerodime në lumin Sitnica, që kap vlerën e përgjithshme të projektuar prej 500 mijë euro, gjithashtu është edhe funksionalizmi i Bifurkacionit të lumit Neredime i cili ka vlerën afërsisht 300 mijë euro, si dhe ndërtimi i Parkut Memorial të UÇK-së në Jezerc. Gjithashtu pjesë e rëndësishme e diskutimit, ishte edhe çështja e ndërtimit të impianteve...” tha Aliu.

Ai falënderoi MMPH-në për mbështetjen në kuadër të Garave të Mjedisit, siç është ajo në vlerën e afro 600,000.00€ për makineri të mirëmbajtjes dhe granti i performancës në vlerën e 150,000.00€ që përfitoi Komuna e Ferizajt për angazhimin në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Ai tutje njoftoi ministrin Matoshi për masat që ka ndërmarr qeverisja lokale në dobi të mjedisit, duke eliminuar qindra deponi ilegale të mbeturinave, mbjellë mijëra lule dhe drunj dekorativ, shqiptimi i gjobave mandatore dhe shtimin e kapaciteteve në Inspektoratin e Komunës në pikëpamje të inspektorëve të mjedisit.

Në anën tjetër, ministri Matoshi tha se janë në fazën e hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm dhe se Komuna e Ferizajt do të përfitoj projekte milionëshe në fushën e mjedisit.

“Unë jam i lumtur që në emër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të ofroj mbështetjen nga buxheti i Republikës së Kosovës, të ofroj projekte që do të filloj së realizuari këtë vit, disa prej tyre do të përfundojnë vitin e ardhshëm e që kalojnë vlerën 1.2 milion euro..."

"Ferizaj dhe qytetarët e saj janë shpërblyer për përkushtimin e tyre, për të jetuar në Ferizaj më të mirë dhe më të pastër. Një nga mrekullitë që ka Kosova është Bifurkacioni i lumit Neredime i cili kërkon një trajtim të veçantë, do të ketë një trajtim të tillë nga Ministria. Ne sot folëm për një projekt për rregullimin e shtratit të këtij lumi, por gjithësi ai nuk do të jetë investimi i vetme që do të ndodh aty, folëm për Parkun Memorial të UÇK-së, do të ketë angazhim jo vetëm të Komunës, por edhe të Ministrisë organizatave të luftës, por do të ketë mbështetjeje edhe për lumin e fshatit Sazli. Jemi në fazën e planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm , sigurisht që kërkesat e kryetarit Aliu, shqetësimet që janë shqetësime të Ferizajt, janë shqetësime dhe të ministrisë dhe gjithsesi që do ta keni mbështetjen e pa rezervë të Ministrisë që unë drejtoj”, tha ministri Matoshi. /InfoKomuna/

GjilanKomente: 0 Fillon projekti madhor 2.4 milionë euro në Gjilan 10:59 / 28.03.2024 Gjatë ditës së djeshme, kanë filluar punimet e njërit ndër projektet më të mëdha në Gjilan. Është fjala për zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi” në vlerë prej 2.4 milionë euro.