Sfarqa flet për balotazhin, i bindur në fitoren e LDK-së

FerizajPostuar: 13:11 / 27.10.2017

Në mesin e 19 komunave që kanë shkuar në balotazh nga zgjedhjet e 22 tetorit është edhe ajo e Ferizajt.

Për të marr udhëheqësin e kësaj komune, më 19 nëntor sfidojnë njëri-tjetrin Muharrem Sfarqa i  LDK-së dhe Agim Aliu nga PDK-ja, shkruan Indeksonline.

Sfarqa i cili ishte kryetar i Ferizajt në katër vitet e fundit, shprehet i bindur se do të vazhdoj të jetë në krye të komunës edhe për katër vite.

Ai ka thënë për Indeksonline se zgjedhjet e tetorit në përgjithësi e kanë dhënë një tregim suksesi për demokracinë e re të Kosovës, kanë kaluar pa incidente dhe në frymën e një kulture të lartë të demokracisë.

Sipas tij, zgjedhjet kanë treguar po ashtu se qytetari i Kosovës i është kthyer vetvetes dhe deklarimit të tij 20 – vjeçar pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Mbështetja pothuajse plebishtare që i është dhëne LDK-së në këto zgjedhje, është porosia reale e këtyre zgjedhjeve. LDK është rikthyer në fronin e saj historik. Ky, mendoj unë, është lajmi i zgjedhjeve të tetorit”, ka vlerësuar Sfarqa.

Sipas tij, balotazhi në Ferizaj tashmë është histori suksesi për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Unë tashmë e kam konfirmuar fitoren dhe ju mund të më pyesni pse? Ferizaj ka treguar më 2013 që di, në favor të dinjitetit të tij, të rimëkëmbjes dhe sh’kapjes së qytetit, të bëjë përmbysje të mëdha. Më 19 të muajit tjetër unë rikonfirmohem kryetar bashkë me LDK-në që ka rikthyer namin e zonjës se vjetër. Mbi të gjitha pres proces te qetë e dinjitoz. Dhe fitore të madhe e të padiskutueshme”, ka shtuar Sfarqa.

Ai duke folur për kundërkandidatit, Agim Aliu ka thënë se qytetarët e Ferizajt nuk shiten për vota dhe se sipas tij,  PDK zakonisht është e njohur për këtë, blen votën.

 “Por vota e qytetarit të Ferizajt nuk shitet. Këtë e ka dëshmuar Ferizaj edhe më 2013. Do të thotë, nuk është diçka subjektive, ose diçka që unë do ta mendoj në formën qe ju më shtroni pyetjet.  Është vendim unanim i votuesit të Ferizajt. I mbështetjes së përgjegjshme të LDK-së në rikthimin e saj më të fuqishëm në 10 vitet e fundit. Ferizaj nuk ka bërë përjashtim dhe nuk do ta bëjë kurrë gabimin që të rikthehet në kthetrat e krimit, të autorëve që fshihen pas atyre qe bëjnë engjëjt kur përballen në publik. Nuk pres befasi, pra pres fitore më të thellë se më 2013”, është shprehur Sfarqa.

Sa i përket premtimeve të thëna gjatë fushatës elektorale, ai tha se ato janë bërë trend i secilës fushatë, por në Ferizaj LDK-ja e ka bërë trend realizimin e tyre.

“Mëkëmbja e qytetit tashme ka filluar. Ajo shihet posa përshkon rrugët kryesore të komunës sonë. Agim Aliu s’ka realizuar gjë për Ferizajn, por edhe tashmë ka abuzuar me votën që e bëri deputet për herën e dytë në Kuvendin e Kosovës.  Ai lëre që për sa ishte deputet nuk iu dëgjua kurrë zëri në mbështetje te qytetarit të Ferizajt, por abuzoi dy herë, kur zgjodhi të kandidonte për kryetar komune. E si mund t’i besohet një njeriu që votën e qytetarëve të Ferizajt e konsideron më tepër si aset për të abuzuar, se sa një përgjegjësi reale. Agim Aliu ka për  të humbur, bile nga gara do te dalë turpshëm. Ky është premtimi i parë publik i imi. Të tjerat i kam ndarë me qytetarin dhe ai tashmë e di se Lidhja e mban fjalën”, ka përfunduar Sfarqa.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 22 tetorit, Muharrem Sfarqa mori 30,72% dhe Agim Aliu 38,56%.