Vihet gurthemli i shtatores së dëshmorit Fatmir Kërqeli

FerizajPostuar: 13:38 / 13.11.2017

Familjarë, bashkëluftëtarë, krerë të institucioneve lokale dhe mysafirë të shumtë, gjatë ditës së sotme kanë marr pjesë në vendosjen e gurthemlit për ndërtimin e shtatores së dëshmorit Fatmir Kerqëli.

Vendosjen e gurthemelit e bëri, kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i shoqëruar edhe nga babai i dëshmorit.

Me këtë rast kryetari Svarqa, u shpreh se në këtë mënyrë po nderohet vepra sublime e dëshmorit Fatmir Kërqeli.

“Fatmir Kërqeli ra në vijën e parë të frontit në Betejën e Koshares, bashkë më shokët e tij jo vetëm nga komuna e Ferizajt, por anembanë Kosovës, por ai ka rënë bashkë më shokët e tij të shkollës këtu afër që janë nga ky lokalitet si Arsim Rexhepi dhe Gëzim Sahiti të cilët me gjithë dëshmoret e këtij lokaliteti dhe tërë komunës i kanë dhënë emrin e merituar vetës, por edhe familjeve të tyre, por edhe gjithë kombit shqiptar, duke u shndërruar në ikonë të luftës për pavarësi dhe duke u bërë të pavdekshëm në altarin e lirisë”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se në këtë mënyrë po nderohen këta dëshmorë, duke vendosur gurthemele për ndërtimin e memorialëve të tyre.

E nga ana tjetër Vehbi Kërqëli, vëllai i dëshmorit Fatmir Kërqeli, u shpreh mirënjohës ndaj komunës së Ferizajt, për ndërtimin e shtatores së dëshmorit Fatmir Kërqeli.

Edhe bashkëluftëtaret e të ndjerit, u ndjen tejet të kënaqur që institucionet komunale po bëjnë gjithçka që është e mundur në mënyrë që mos të harrohen të rënët për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Dëshmorit Fatmir Kërqeli, ra për të mos vdekur kurrë në Betejën e Koshares. /InfoKomuna/