Vihet gurthemeli i Shkollës Profesionale në Ferizaj

FerizajPostuar: 15:34 / 04.10.2018

Në Komunën e Ferizajt sot ka nisur ndërtimi i Shkollës Profesionale. Për të vënë gurthemelin e kësaj godine, doli vet i pari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me ministrin e Arsimit, Shyqeri Bytyqi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku Topalli, Kryesuesen e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi si dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Projekti i ndërtimit të shkollës profesionale në Ferizaj është edhe një dëshmi për vëmendjen e qeverisjes lokale dhe mbështetjen nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për arsimin profesional dhe përgatitjen më të mirë të kuadrove për tregun e punës.
Kështu, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se ky projekt paraqet ndryshim për Ferizaj, dhe një nga nismat më të vlefshme drejt krijimit të mundësive për konkurrueshmëri në tregun e punës, duke investuar në profesione të caktuara si dhe siguruar mundësi punësimi dhe kualifikimi për të interesuarit në sektorin privat.

“Sot e kam këtu ministrin për t’i dhënë mbështetje një projekti tepër të rëndësishëm për Ferizajn, por në mënyrë të veçantë për pjesën që është dikasteri i ministrit të Arsimit, pra pjesës arsimore. Po fillojmë një faze të re të projekteve për fillimin e një shkolle që ishte edhe zotim, ndërtimi i shkollës profesionale e që në fakt sa zotim i imi, ishte edhe kërkesë e komunitetit të biznesit sepse nga ajo që ne kemi dëgjuar nga komuniteti i biznesit është një kërkesë e shtuar për profesione respektivisht për krijimin e qytetarëve tanë, njerëzve tanë me kualifikime që atyre ju duhen".

"Pikërisht ne sot, po vëmë gurthemelin për një mundësi të tillë. Ministri po sa ka ardhur nga një shkollë e që është Qendra e Kompetencës dhe po ashtu është një storie e suksesit, edhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është një storie e suksesit dhe ne dëshirojmë që storiet e suksesit t’i shtojmë dhe sot po e vëmë gurthemlin për të bërë edhe një storie të suksesit e që pa dyshim do të jetë shkolla e mesme profesionale.... Ne do të identifikojmë edhe profesione të tjera në mënyrë që të jenë pjese e angazhimit në këtë shkollë, gjithsesi duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar këto profesione me kërkesat që kanë bizneset e Ferizajt, sepse kjo shkollë është duke u ndërtuar që të prodhojmë kapacitete të tilla të resurseve humane që i përgjigjen pikërisht kërkesave të tregut".

"Jemi këtu në një projekt që do i shtoj madhështinë kësaj pjesë të natyrës që është edhe ashtu madhështore në Ferizaj dhe po ashtu lidhet edhe me shumë projekte të tjera që lidhen dhe do të zhvillohen në Komunën e Ferizajt, që kapin pikërisht këtë zonë dhe qëllimi ynë është që ne t’i ndërlidhim projektet njëra me tjetrin. Ne këtu shumë shpejt do e kemi pjesë të buxhetit edhe një pishinë gjysmë olimpike e cila do të jetë në kuadrin e arsimit, sepse dëshirojmë që nxënësit tanë përveç që të aftësohen, ata të kenë edhe jetë të shëndetshme e sportive, sepse dihet fakti që pjesëmarrja e nxënësve tanë dhe përgjithësi e popullatës sonë e rinisë sonë është shumë e mangët sa i përket sportit. Gjithashtu do të ketë edhe projekte të tjera, por do të flasim për projektet tjera kur do të kemi edhe ministra të tjerë siç na ka nderuar zotëri Bytyqi në fillimin e këtij projekti”, tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Edhe ministri i Arsimit, Shyqeri Bytyqi tha se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e ka vendosur si prioritet investimin në shkollat profesionale, andaj në këtë kuadër edhe ky projekt i ndërtimit të Shkollës Profesionale në Ferizaj është njëri nga ta që të rinjve të Ferizajt do t’i mundësoj kushte më të mira dhe kualifikim e konkurrueshmëri në tregun e punës.

Ai madje tha se MASHT është e gatshme në çdo moment të jetë afër Ferizajt për ta ndihmuar dhe për të përkrahur jo vetëm me këto lloj projekte, por në gjithçka që kontribuon në të mirën e arsimit.
“Unë vërtetë sot vizitova edhe një shkollë profesionale, Qendrën e Kompetencës dhe është një shkollë që padyshim duhet të jetë shembull dhe praktikë edhe për shumë shkolla të tjera profesionale. Në kuadër të angazhimit tonë si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe bashkërendimit tonë në nivelin lokal për të bashkëpunuar sa më afër në mënyrë që të gjithë së bashkërisht të kontribuojmë në ndryshimin gjendjes në sistemin arsimor ata që jemi zotuar shpesh dhe po e themi shpesh tani më po e dëshmojmë duke takuar kryetarët e komunës dhe për t’i bashkërenduar veprimet".

"Sot është një kënaqësi tepër e madhe se sot po bëjmë përurimin e fillimit të punimeve të një shkolle profesionale edhe unë për këtë e uroj kryetarin, por edhe qytetarët, por në veçanti të rinjtë e Ferizajt që do të kenë mundësi që tash e tutje të kenë kushte me të mira dhe të marrin kompetencën por edhe dijen e nevojshme. Pra, ne jemi zotuar si Ministri, por edhe pushteti lokal të bëjmë angazhime që të rinjve tanë t’iu sigurojmë vetëm një edukim të mirë, orientim të mirë të drejtë për të ardhmen e tyre".

"Konsideroj se orientim më i mirë dhe më i drejtë sesa shkolla profesionale nuk duhet të jetë, dhe kjo është arsyeja kyçe se pse ne e kemi vendosur në Ministrinë e Arsimit, prioritet shkollat profesionale, në zhvillimin e shkollave profesionale, ndërtimin e shkollave profesionale pastaj edhe në bashkëpunimin e ngushtë edhe me pushtetit lokal me ndihmën e pushtetit lokal, por edhe të bizneseve pa është kjo forma e vetëm që do të na mundëson që të rinjtë tanë jo vetëm të mësojnë në shkolla në forma teorike por edhe të zbatojnë formën praktike të tyre. Unë shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë me Komunën e Ferizajt dhe jemi të gatshëm që çdo moment të jemi afër Ferizajt për ta ndihmuar për të përkrahur vetëm me këto lloj projekte, por në gjithçka që kontribuon në të mirën e arsimit në Kosovë” tha ministri Bytyqi.

Vlera totale e këtij projekti është rreth 2 milionë euro, i cili do të ndërtohet në hapësirën prapa Gjimnazit të Shkencave të Natyrës “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj. /InfoKomuna/