Arkëtimi i tatimit në Fushë-Kosovë, peng i verifikimit të pronave publike

Fushë KosovëPostuar: 10:36 / 22.10.2018

Komunarët e Fushë-Kosovës janë treguar të ngathët në menaxhimin e pronave publike. Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj për vitin 2017 ka vërejtur se nga një listë e 58 shfrytëzuesve të banesave, shin pajisur me kontrata vetëm 15 sish.

Po ashtu është parë që disa nga mostrat e testuara nuk ishin valide, ndërkohë që të njëjtat prona vazhdojnë të shfrytëzohen dhe krijohen telashe në arkëtimin e tatimit.

“Nga testimi i listave të 58 shfrytëzuesve të pronës publike (dhënien e banesave kolektive me qira në fshatin Miradi e Epër) vetëm 15 familje ishin pajisur me kontrata. Nga gjashtë mostra të testuara vërejtëm se kontratat nuk janë valide në aspektin e periudhës kohore. Megjithatë, pronat shfrytëzohen ende pa ndonjë vendim zyrtar apo ripërtëritje të kontratës”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas po atij, mungesa e kontrolleve adekuate dhe veprimi me kohë nga komuna lidhur me shfrytëzimin e pronës publike rritë rrezikun që këto prona të keqpërdoren dhe mjetet e parapara të mos arkëtohen asnjëherë.

ZKA-ja i ka rekomanduar kryetarit të Komunës se duhet të marrë masa që sa më parë t’i pajisë qiramarrësit me kontrata për shfrytëzimin e pronave, në mënyrë që të kenë bazë ligjore për arkëtimin e të hyrave nga qiradhënia e tyre.