Banorët kundër vendgrumbullimeve farmaceutike në Harilaç

Fushë KosovëPostuar: 10:08 / 24.10.2018

Banorët e fshatit Harilaç dhe komunarët e Fushë-Kosovës janë shprehur kundër ndërtimit të objektit ku do të ruhen përkohësisht mbeturina të rrezikshme.

Sipas banorëve, përveçqë i lë pa ujë të pijes, nëse vendoset ky vendgrumbullim aty, u prishet jeta në fshat. Ndërkohë kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që ta gjejë një lokacion diku tjetër në Kosovë dhe jo në Harilaç, shkruan sot Koha Ditore.

L.S., banor i Harilaçit, ka thënë se është marrëveshje e banorëve që mos ta lejojnë ndërtimin e këtij objekti.

“Qe një javë ka nisë të punohet në këtë pjesë të fshatit për të bërë gati ndërtimin e një deponie me mbeturina të rrezikshme. Kanë fillua me pre malin, edhe FSK-ja po e kontrollon për mina dhe me fillua me ndërtua këtë deponinë që janë materie kimike. 200-300 metra vijë ajrore prej këtu janë shtëpitë tona. Ne e kemi burimin e ujit-rezervuarët që vjen prej kodrës së Goleshit diku 100 metra poshtë kësaj pjese ku po mendohet me u ndërtua kjo deponi. Dhe nëse vendoset kjo deponi ne mbesim pa ujë edhe prishet jeta në katund”, ka thënë ky banor i fshatit Harilaç.

L.S. thotë të mos i ketë pyetur askush për ndërtimin e këtij vendgrumbullimi në fshatin e tyre.

“Të enjten e kemi pas një mbledhje të katundit në shkollë që mos me lejua ndërtimin e kësaj deponie. Ne jemi kategorik mos me lejua. Nëse nuk ndalen punët ne krejt banorët kemi me ardhë këtu dhe nuk kemi me lejua me u ndërtua. Kështu është marrëveshja e banorëve”, ka theksuar ai.