Fushë Kosova nis implementimin e projektit “Ndarja e Mbeturinave të Riciklueshme"

Fushë KosovëPostuar: 16:11 / 19.04.2018

Në Rrugën “Dardania” sot filloi implementimi i projektit për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme, i përkrahur prej Organizatës Qeveritare GIZ dhe komunës së Fushë-Kosovës.

Zyrtarë të GIZ-it thanë se qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i kushteve dhe vendlokacioneve për hedhjen e mbeturinave të amvisërisë, të ketë qasje më praktike dhe estetike të pikave të grumbullimit të mbeturinave për banorët e kësaj lagjeje si dhe të implementohet skema e ndarjes së mbeturinave të riciklueshme (letër, plastikë, alumin).

Duke iu drejtuar të pranishmëve Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha tha se "kam kënaqësinë t’ju informoj se Komuna jonë do të jetë pjesë e zbatimit të projektit të ndarjes së mbetjeve të riciklueshme, ku njëherësh parashihet edhe të bëhet riorganizimi i pikave grumbulluese të mbeturinave në qytet".

"Ne jemi partner të këtij projekti të përbashkët me GIZ-in dhe do të implementohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Për të implementuar këtë projekt me sukses dhe për të arritur qëllimet tona të përbashkëta në ngritjen e vetëdijes së komunitetit dhe funksionimin e një procesi të gjelbër për një komunë që zbaton ndarjen e mbeturinave të riciklueshme, ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj si qytetarë të Fushë-Kosovës", theksoi Berisha.

Zyrtari i lartë nga GIZ-i tha se "gjatë implementimit të këtij projekti do të kemi nevojë të zbatoni me rregull, principet për hedhjen e mbeturinave në vendlokacionet e caktuara duke i ndarë paraprakisht sipas llojit të tyre (në të riciklueshme në kontejnerin e verdhë që përfshijnë letër-plastikë-alumin) dhe mbeturina të tjera në kontejnerin e përgjithshëm".

Në këtë mënyrë ju jo vetëm që do të kontribuoni në një qytet të pastër por edhe do të jepni kontributin tuaj humanitar për mundësinë e krijimit të vendeve të punës për grupet të cilat merren me grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme prej të cilave edhe jetojnë.

Në fund kryetari Berisha dhe zyrtarë të GIZ-it, ORF-së dhe të kompanisë “Pastrimi” si dhe nxënës nga Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Mihal Grameno” në mënyrë simbolike, përuruan fillimin e projektit “Ndarja e Mbeturinave të Riciklueshme”. /InfoKomuna/